Trepça, betejë për ardhmërinë ekonomike të Kosovës

Qeveria e Kosovës ka vendosur që ndërmarrjen Trepça nga publike ta shndrrojë në shtetërore. Kjo ka nxitur reagime në Serbi dhe te serbët e Kosovës. Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se beteja për Trepçën është betejë për ardhmërinë ekonomike të Kosovës. 

Lajme

18/01/2015 19:58

E ky fakt për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu është një lajm i mirë. Ai thotë se dita e nesërme mund të konsiderohet ditë historike, sepse sipas tij, është koha kur Kosova të dëshmojë se është Republikë e pavarur.

“Është një vendim i vonuar i institucioneve të Kosovës sepse ne si OEK kemi rekomanduar para ca vitesh që një proces i tillë të fillojë dhe të përfundojë”.

“Duhet ta kuptojmë se nuk pritet asgjë më e mirë nga Serbia sesa që ajo që kemi parë deri më tani dhe është momenti i fundit që Kosova duhet të dëshmojë që është shtet, është republikë e pavarur dhe këto asete i takojnë Kosovës”.

“Ligji mbi Trepçën duhet të votohet dhe dua të besoj që nesër do të jetë një ditë historike për ardhmërinë e Kosovës sepse se sa i duhet sot Kosova Trepçës nesër Trepça do t’i duhet Kosovës. Prandaj është koha që vërtetë të tregohet një gatishmëri, një qëndrueshmëri dhe me çdo forcë të mbrohet dhe të mbështetet një kompleks siç është Trepça”, tha Gërxhaliu për RTK, transmeton lajmi.net.

Gërxhaliu thotë se lufta për Trepçën është luftë për ardhmërinë ekonomike të vendit. Ai thotë se Trepça përveç aspektit ekonomik, duhet shikuar edhe në aspektin social.

“Askush që e don të mirën e Kosovës dhe ardhmërinë e saj nuk mund të paramendoj një proces të likuidimit të Trepçës. Është koha kur duhet ta kemi ligjin për Trepçën, ku Qeverisë do t’i takojnë të gjitha kompetencat për të menaxhuar, është koha kur Trepça të shikohet në dimension tjetër. Trepça sa ka ekonomi, ka dhe strategji, sa ka strategji ka aspekt social dhe mbi të gjitha është një aktraktivitet për investitorët e huaj që t’ia mësyjnë Kosovës”.

“Vetëm përmes Trepçës mund të arrihet ajo çka i duhet Kosovës. Është aspekti social, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i bilancit të pagesave. Për Trepçën nuk është vonë kurrë të luftohet dhe në qoftë se fitohet beteja për Trepçën, fitohet beteja për ardhmërinë e Kosovës në aspektin ekonomik”, tha Gërxhaliu për RTK, transmeton lajmi.net.