Treni të mos dalë nga binarët

Nëse si shqiptarë, duam dhe jemi sinqerisht të interesuar që treni të mos dalë nga binarët. Për të mirën e të gjithëve. Por të udhëtarëve të thjeshtë, mbi të gjitha.

Opinion

21/12/2013 18:14

Ndërsa po lexoja shkrimin më të fundit të Fatos Lubonjës, ose më saktë letrën e tij të hapur për Prokurorin e Përgjithshëm, zotin Llalla, në lidhje me tritolin e zbuluar nën shasinë e veturës personale të zotit Dervishi, aktualisht prefekt i Vlorës, e gjeta tërësisht të drejtë shqetësimin e tij.

Për të mos përsëritur dhe cituar mërzitshëm letrën e kolegut, me siguri shumë të lexuar, po kaloj fare shpejt te refleksioni, të cilin e gjykoj shumë të domosdoshëm në këto kohë të tensionuara. Qeveria e re dhe koalicioni Rama-Meta kanë, pa dyshim, një numër kolosal votash dhe konsensusi parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë.

Kush arsyeton ndryshe apo e relativizon këtë fakt, shpreh veçse depresionin e vet dhe kaq. Mirëpo depresioni nuk është një lëndë e mirë e parë për të ndërtuar një apo më shumë argumente. Përkundrazi, i shtrembëron dhe i subjektivizon ato.

Koalicioni i ri i ngjan, pra, një treni të gjatë me shumë vagonë, që së paku për një vit, pavarësisht çdo gjëje, do të çajë përpara me shumë shpejtësi dhe vrull, duke marrë përpara me yrysh çdo lloj gjykimi apo paragjykimi, të arsyeshëm ose jo.

Kështu ka ndodhur edhe në vitin 2005, me ardhjen e bollshme në numra të Berishës në pushtet, kështu ka ndodhur në vitin 1997 me përmbysjen e Berishës, kështu ka ndodhur edhe në vitin tashmë të largët 1992, me triumfin e Berishës dhe rënien e komunizmit të tipit të vjetër. Ndonëse sot trenin e thërrasim më së shumti edhe trend, thelbi nuk ndryshon.

Në këtë trend pra, të 100 ditëve të para të koalicionit të ri, kjo qeveri ka se çfarë rrëfen.

Së pari solli në krye të punëve, ndonëse jo pa sforco, një administratë të re. Kryeministri, me një shpejtësi të parrëfyer, ndërroi shumë nga design i mëparshëm, duke dhënë sinjalin e një strategjie të re komunikimi pamor.

Kush mendon se kjo nuk ka rëndësi, gabon. Prova është vetë Rama, sot Kryeministër. Nën presionin e një pritshmërie të madhe, qeveria nuk mund të akuzohet dot për mungesë energjie dhe ritmi. Madje edhe ngutje. Dhe deri këtu, është humbje kohe të gjesh kleçka, sepse në kleçkë do të mbeteshin edhe vetë argumentet. Mirëpo realiteti, apo si do të quheshin në fizikë, “forcat e fërkimit”, i hapën shumë shpejt telashe trenit ekspres në të cilin shqiptarët më së shumti kanë prerë biletën për t’u transportuar në kohëra më të mira dhe më të begata.

Për shembull, maxhoranca sapo ka humbur një betejë me Gjykatën Kushtetuese për statusin civil të nëpunësit. Gjykata e rrëzoi me zhurmë, porse zhurma mbeti pa jehonë, sepse trendi, apo treni i shpejtë, ka ende energji dhe inerci.

Disa javë më parë, populli i nervozuar rrëzoi vendimin e menduar, por të pavulosur, të Kryeministrit Rama për demontimin e armëve kimike. Por edhe kjo turfullimë popullore kundërshtuese po ngelet pas thjesht si një ëndërr e keqe. Treni në shpejtësinë e tij inerciale e tejkaloi këtë ngërç.

Pak orë më parë, Brukseli, përmes toneve gati melankolike të Fyles dhe gjuhës së thartë të të tjerëve, i tha jo edhe për ca kohë, 6 muaj, po në të vërtetë nuk dihet se sa, statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Një zbythje kjo për të gjithë shqiptarët, le ta konsiderojmë me përgjegjësi të përpjesëtueshme, të të gjitha palëve politike që janë në lojë.

Treni, sigurisht, nuk del nga binarët, porse udhëtarët kanë tanimë një numër më të madh pyetjesh, të cilave Rama, edhe iu përgjigj, edhe nuk u përgjigjej dot. Europa po tkurret në përgjithësi, apo po tkurret ndaj nesh?

Ndërkohë, qeveria e re ka shpallur një “kryqëzatë” antikorrupsion, të cilën shumica e popullit e percepton ende të sinqertë. Treni dhe trendi ecën ende përpara me shpejtësi, ndonëse hera-herës ka nevojë për ndonjë ndalesë të vogël kolauduese dhe paqtuese, për të cilën, me sa duket, merret më së shumti Ilir Meta, qoftë në uljen e gjakrave në Kuvend, qoftë në takimet transversale jashtë vëmendjes së kamerave.

“Kryqëzata” antikorrupsion, së pari mbylli me energji të paparë qindra e qindra puçrra qelbi kazinosh, të shpërndara si një kolerë nëpër qytetet shqiptare. Guximi personal i Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm, ishte mbresëlënës, pasiqë një  pjesë e madhe e pronarëve të puçrrave të kolerës së kumarit ishin dhe janë të “fortë”, ose e thënë ndryshe, shkelës profesionistë të çdo ligji. Bekimi popullor ishte i pabesueshëm dhe pavarësisht veprimeve në kufi të legalitetit ose edhe me ndonjë shkelje të atykëtushme të tij, bekimi dhe morali i këtyre akteve antikolerë kishte një mburojë të hatashme psikologjike.

Mirëpo, avokatët apo ndërhyrjet që u vunë në veprim, apo ndoshta edhe më keq akoma, nevoja e shtetit për paratë që derdhin puçrrat në buxhet, duket se ishte shkaku i heqjes së shiritave të verdhë. Kazinotë pra u rihapën. Ndoshta në pritje të një kuadri ligjor të ri.

Mirëpo, janë me dhjetëra ato që edhe me kuadrin e vjetër ligjor duhen të rrinë mbyllur, sepse janë pranë apo krejt përballë shkollave të kalamajve e adoleshentëve shqiptarë. Dikush thotë se lëvizi para e madhe. Personalisht prirem të mos besoj. Porse dyshimi mbetet, përderisa askush nuk po merr nismën ligjore për kuadrin e ri ligjor dhe kazinotë bluajnë kursimet e shqiptarëve.

Tani jemi në kulmin e debatit për paketën e re fiskale, në emër të një drejtësie fiskale më të madhe. Mirëpo përderisa nuk parashikohet taksimi i dividendëve, pra të ardhurat e larta të aksionerëve të kompanive të të pasurve të vërtetë dhe shpeshherë misteriozë të këtij vendi, kjo drejtësi duket se ngelet e paplotë. Duket se shtresa e mesme, ende e brishtë dhe ende në formim, do marrë peshën më të madhe të kësaj barre, ndërsa sipërmarrësit e mëdhenj, në kujtesën tonë të freskët, deri dje “pabuksa”, sot milionerë, nuk dihet se si, kjo kategori nuk do të preket as edhe nga rrufa.

Nga ana tjetër, xhenierët e ministrit Tahiri po i japin një mësim të fortë abuzivizmit në bregdet, krejtësisht i toleruar nga ish-kryeministri Berisha, ndoshta në emër të mosndërhyrjes në kompetencat e të ashtuquajturave pushtete lokale. Porse këto pushtetet lokale, të majta dhe të djathta, në të vërtetë e në shumicën e rasteve, janë rrëfyer ca monstra grabitqare nga më të shëmtuarat.

Edhe këtu populli, e sidomos populli më i dukshëm i blogjeve, shprehu pa dyshim përkrahje dhe duket sikur ka mbyllur njërin sy me zemërgjerësi për përdorimin disi të tepërt të tritolit spektakolar.

Porse dallga spastruese në bregdet do të jetë e njëtrajtshme, apo selektive dhe me kapërcime?

Dihet se kjo dallgë dhe kjo metodë e muskujve të fortë dhe sfidues, krijojnë një armiqësi radikale dhe të tejskajshme, pasiqë ndryshe nga çfarë rrëfehet nëpër rapsoditë tona, prona dhe materia e prekka shqiptarin shumë më shumë se fjala.

E pra, nëse dallga spastruese në bregdet është selektive dhe me kapërcime, hop këtu, por ndal atje, automatikisht kjo dallgë shndërrohet në një dallgë politike. E pra, krejtësisht ose pothuajse, në të kundërtën e saj. Dhe më keq akoma, nxit luftënxitjen politike, pasiqë të gjithë e dimë, dreqi e mori, se abuzivizmi shqiptar nuk është i pavarur, por në të kundërt, krejt i ndërvarur nga referentë përfitues të klasës politike. Në kuptimin më transversal të fjalës. Përtej së majtës dhe së djathtës.

Përsëri prirem të mos e besoj edhe këtë gjasë, mirëpo për këtë duhen ende prova bindëse.

Dhe populli nga dritaret e trenit ende të shpejtë dhe ende me shumë vagonë, picërron sytë dhe shton bajagi vëmendjen e vet ndaj çdo gjëje.

Deri këtu le të themi se kjo ish një lloj panorame e përafërt, në kufijtë e një artikulli gazete.

Mirëpo, së fundmi po shpeshtohen edhe thirrjet “giustizialiste” apo “drejtësivënëse”, me një frymë edhe më të skajshme, që tundin në ajër pranga dhe flasin për burgime. Duke drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Berisha, e deri më poshtë në hierarkinë qeverisëse. Dikush për “korrupsion” e dikush tjetër për abuzime të përgjithshme me pushtetin. Duke eksituar kësisoj opinionin publik, me shpikjen e vjetër dhe të re: “Të gjitha fajet i ka Saliu!”

Në të vërtetë, kjo tundje prangash dhe kjo frymë e ashpërsisë dhe ashpërsimit të verbit politik kur qeveria ndien ndonjë afrim sikleti, është një kopjim i verbit dhe metodës politike të Berishës apo të Topallit. Por ato ngelën vetëm ca refrene kërcënues dhe më pas ca parodi gazmore të tipit “Ju a kallxoj unë juve!”, që përsëriste Doktori, dhe vetëm kaq.

Se si thotë fjala e urtë dhe e trishtme e tranzicionit shqiptar:  “Burgun për të gjithë sa janë në politikë e bëri vetëm Fatos Nano!”

E pra, kjo tundja e prangave dhe burgimeve, si parakusht për t’u bërë edhe më europianë, ku e çon ekuacionin e së ardhmes politike të vendit?

Duke u kthyer te letra e hapur e Fatosit, të gjithë këta përrenj të zjarrtë, realë apo fiktivë, derdhen në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme që drejtohet nga zoti Adriatik Llalla dhe kuptohet më pas ndër gjykatat tona, në atë formë dhe shëndet që sot ato kanë.

Por përtej kësaj, përtej tritolit apo “shakasë” së zotit Dervishi, si dhe aludon opozita e sotme, alarmi është real.

Prokuroria, pra, përmes një paanshmërie, më së shumti të ëndërruar, duke përjashtuar këtu çdo paragjykim personal për zotin Llalla, mund ta shndërrojë tërë këtë frymë të nxehtë, në një kuadër thelbësisht ligjor dhe racional. Prokuroria duhet pra të ndajë se çfarë është jakobine dhe se çfarë përmban realisht germa e ligjit.

Ose më saktë e thënë: kush është për burg, në burg le të shkojë!

Porse në një burg ligjor, dhe jo në një burg edhe politik, edhe “ligjor”.

Sepse viti i mbrapshtë ’97 dhe ‘98, apo edhe qoftë 21 janari 2011, kanë lënë pas disa mësime.

Dëmi i tensionit dhe i shkatërrimeve që tensionet dhe përplasjet lënë pas, sjellin një kosto globale kombëtare shumë më të madhe se sa përfitimi i pretenduar.

Një gjobë e rëndë apo një sekuestro është më rentabël se sa tringëllima sensacionale e prangave.

Nëse si shqiptarë, duam dhe jemi sinqerisht të interesuar që treni të mos dalë nga binarët. Për të mirën e të gjithëve. Por të udhëtarëve të thjeshtë, mbi të gjitha.

 

(Panorama)