Treni i gabuar kosovar – Lajmi.net
Treni i gabuar kosovar
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 11:52, 1 November 2018
Ne na kanoset rreziku më i madh i mundshëm.  Që të mos jemi në gjendje, si politikë e Kosovës, të jemi partner i BE-së dhe i SHBA-së, në arritjen e një Marrëveshjeje me Serbinë.

Është një thënie e njohur të cilën me gjasë e dimë të gjithë: Kur hyn në trenin e gabuar, të gjitha stacionet më pas, mbi të gjitha, drejtimi final i tij do të jetë i njejtë. I gabuar pra.

Duket që ky mësim i njohur, është përshkrimi më i mirë i mundshëm i një tjetër debati parlamentar që u zhvillua këtë të mërkurë, me 31 tetor, në Kuvendin e Kosovës, edhe një herë kushtuar dialogut të Kosovës me Serbinë, mënyrës se si ne, si Kosova, do të organizohemi, qëllimeve që duhet arritur, rreziqeve që na presin në gjithë këtë proces i cili është i pashmangshëm.

Në fakt, ka risi në këtë aspekt. Secili diskutim i ri që po organizohet, po është më i keq se ai i mëparmi, më i tensionuar, me më shumë akuza dhe kundërakuza, të cilat shpeshherë nuk kanë të bëjnë fare me temën për të cilën janë mbledhur deputetët.

Edhe kësaj here, justifikimi për tu tubuar deputetët dhe për ta rrumbullakësuar një debat, ishin përpjekjet e opozitës dhe të Qeverisës, për ta miratuar një Rezolutë të Kuvendit, e cila, edhe në variantin më të mirë të mundshëm, sikur do të arrihej mrekullia e pajtimit gjithpërfshirës të politikanëve dhe partive të tyre, nuk mund dot ta ketë fuqinë dhe detyrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila është shumë e qartë kur bëhet fjalë për përgjegjësitë dhe mandatin e secilit institucion dhe liderit të tij në Kosovë.

Në anën tjetër, nuk ka dhe nuk mund të ketë Rezolutë, edhe poqëse ajo njëmend do të mbështetej nga të gjithë deputetët që do të merrnin pjesë në një seancë, e cila do të mund ta paracktonte, në plotëninë e saj, rrjedhën e bisedimeve në Bruksel në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë.

S’do mend që të gjithë dakordohen që Kuvendit të Kosovës i takon fjala e parë dhe e fundit në temën e dialogut me Serbinë, pikërisht në respektim të Kushtetutës së Kosovës.

Marrëveshja me Serbinë, sipas të gjitha parametrave vendorë, por edhe ndërkombëtarë, do të jetë një Marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të mund të Ratifikohet vetëm me votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit. Pra, objektivisht, Kuvendi i Kosovës mbanë të drejtën e veto-s, apo edhe të prishjes së një Marrëveshjeje me Serbinë. Askush tjetër në Kosovë nuk e ka këtë të drejtë.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës nuk mund dot, përmes një Rezolute, ta ‘imunizojë’ politikisht dhe diplomatikishnt vendin nga sprovat dhe rreziqet e këtij dialogu në Bruksel.

Në këtë kontekst, nuk ka mënyrë më të mirë për ta fuqizuar pozicionin e Kosovës në bisedimet e radhës, të cilësuara tashmë si finale me Serbinë, se sa të formohet një Ekip apo Delegacion i përbashkët që do të unifikonte pushtetin dhe opozitën.

Vetëm kështu do mund njëmend të arrihej qëllimi i forcimit të ‘imunitetit’ politik dhe diplomatik të Kosovës në përballje me përfaqëesuesit e Serbisë në Bruksel.

Të kota janë të gjitha përpjekjet e tjera, të cilat na kthejnë në atë rrëfimin fillestar për hyrjen në trenin e gabuar.

Më e keqja në gjithë këtë kallëzimin për debatet e rënda dhe të dëmshme parlamentare kushtuar temës së dialogut është që ka fare pak dallime në mes të pushtetit dhe opozitës sa i përket substancës së trajtuar në këto seanca të Kuvendit të Kosovës. Por më pas, ky dakordim në substancë, harrohet, lihet anash, margjinalizohet tërësisht, duke ia lëshuar vendin konfrontimeve dhe përplasjeve krejtësisht personale politike, dhe ushtrimit të një fushate të vazhdueshme zgjedhore, duke harruar që zgjedhjet mbahen megjithatë rrallë  (edhe te ne madje), dhe që politika udhëhiqet për çdo ditë.

Sidoqoftë, kështu si jemi sot, me gjasa fare të pakta për të ndryshuar në ditët dhe javët e ardhshme, kur bëhet fjalë për mënyrën se si do të organizohemi ne për ta finalizuar njëmend dialogun me Serbinë, nëse do të krijohen rrethanat për diçka të tillë, neve na kanoset rreziku më i madh i mundshëm. Që të mos jemi në gjendje, si politikë e Kosovës, të jemi partner i denjë i BE-së dhe i SHBA-së  (interesi i SHBA-së për rrjedhën e këtij dialogu u konfirmua shumë qartë ditëve të fundit), në arritjen e një Marrëveshjeje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Natyrisht, në atë rast, i githë faji për dështimin e këtyre bisedimeve do të na mbetej neve.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO