Treni ekologjik i Prishtinës, jo funksional, e kaplon pluhuri

Treni i blerë nga Komuna e Prishtinës si ekologjik, nuk është fare i këtij lloji. Kështu tha për Radio Kosovën drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Ambientit, Ilir Morina. Megjithatë, ky tren, vlera e të cilit kap shifrën prej 100 mijë euro, tash e pesë vite po qëndron në garazhet e ”Trafikut Urban”. Këtë e kanë konfirmuar për Radio Kosovën zyrtarë nga kjo ndërmarrjeje. Qytetarët thonë se ky tren do të ndikonte në ruajtjen e ambientit si dhe shtimit të sigurisë.

Lajme

20/07/2018 12:17

Ndonëse pesë vite më parë Komuna e Prishtinës bleu trenin ekologjik, i cili ishte paraparë të vihej në funksion në Parkun e Gërmisë, ky tren vazhdon të mbahet në garazhet e “Trafikut Urban”.

Treni qëndron në Bazën Teknike të “Trafikut Urban” si aset i Komunës së Prishtinës, thuhet në përgjigjen elektronike të kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Lulzim Rexhepaj, dhënë për Radio Kosovën.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera për gjendjen teknike të këtij treni.

E qytetarët të cilët e shfrytëzojnë Parkun e Gërmisë për ecje dhe atraksion, shprehen të habitur se si është e mundur që treni ekologjik për kaq vite të mos vihet në funksion. Njëra nga ta, Teuta Sahiti, thotë se një tren i tillë do të ndikonte në ruajtjen e ambientit si dhe rritjen e sigurisë për frekuentuesit e këtij parku.

”Do të ishte mirë ta dinim se pse nuk po funksionon ai tren. E para për sigurinë e njerëzve për të shkuar në Gërmi dhe për shkak të ndotjes së ajrit. Arsyeja që shkojmë ne atje është ajri i pastër.

Mirëpo për shkak të veturave të shumta që qarkullojnë në park, atëherë po i bie njëjtë si me ec nëpër rrugët e Prishtinës”, tha Teuta Sahiti.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Ambientit, Ilir Morina, bën të ditur për Radio Kosovën se treni në fjalë nuk është fare ekologjik. Morina tha se pas shqyrtimit të lëndës si agjenci, kanë vërejtur se treni në fjalë është me benzinë.

” Kur ka ardhur kërkesa kemi menduar që treni është ekologjik, ndërsa pas shqyrtimit të lëndës, kemi konstatuar se ai është me benzinë, fare nuk është ekologjik. Atëherë ne u kemi rekomanduar që të mos thuhet që është ekologjik dhe nëse e përdorni ai ka ndikimi negativ.

Mendoj se arsyeja pse nuk është futur komplet në shfrytëzim mund të jetë edhe kjo apo diçka tjetër, por përgjigjen mund ta merrni në Komunën e Prishtinës”, tha Ilir Morina.

Radio Kosova ka provuar të kuptojë nga Komuna e Prishtinës se pse ky tren nuk po aktivizohet si dhe rreth asaj se a është ekologjik apo jo, por zyrtarë të komunës, përkatësisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike nuk janë përgjigjur.

Treni në fjalë është blerë nga Komuna e Prishtinës 100 mijë euro, i cili ka ardhur në vitin 2013. Ky tren ishte paraparë që të vihet në funksion për herë të parë në vend, dhe ishte paraparë të fillojë së qarkulluari që nga laura në afërsi të pishinës deri te Qendra Protokollare e Kuvendit të Kosovës.