Treni, a ishte veç paralajmërim për veriun e Kosovës?

Shteti i Kosovës arriti dje që ta ndal trenin ilegal të Serbisë që ishte nisur nga Beogradi me destinacion Mitrovicën

Lajme

15/01/2017 13:57

Treni i shumëpërfolur përmbante simbole nacionaliste serbe dhe nga autoritetet e Kosovës u cilësua si provokim. Me po këto atribute raportuan edhe mediat ndërkombëtare. Derisa në anën tjetër, Serbia tha se Kosova provokoi konflikt me ndalimin e trenit, shkruan lajmi.net

Dikush po konsideron se treni ishte veç një paralajmërim dhe se pas tij, do të nis skenari i vërtetë i Serbisë për veriun e Kosovës.

Deputeti i pavarur Ilir Deda, thotë se Serbia ka qëllime për veriun e Kosovës, sikurse Rusia ndaj Krimesë së Ukrainës.

“Kërcënimi i Vuçiqit me ‘paralajmërimin për herë të fundit, që nëse serbët e Kosovës sulmohen atëherë Serbia do t’i mbrojë ata’ është paralajmërim, qëndrim dhe qëllim i Beogradit dhe aleatëve të tij për scenarion e Krimesë për veriun e Kosovës”, shkruan Deda.

Ai bën thirrje për unitet që të përballohet sipas tij, kjo sfidë e madhe.

Njëjtë ka komentuar edhe analisti Nexhmedin Spahiu nga Mitrovica.

Duke komentuar ndaljen e trenit “rus” që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës, Spahiu, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “loja e vërtetë fillon pas kësaj”.

“Ndalja e trenit është OK po mos u hallakatni se kjo është vetëm paraloja. Loja e vërtetë fillon pas kësaj”, ka shkruar Spahiu në Facebook.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se po vëzhgon nga afër situatën e krijuar ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa ka bërë thirrje që të ulen tensionet. /Lajmi.net/