Tremujori i fundit i vitit 2013, i keq për bizneset

Oda Ekonomike e Kosovës, në një raport të publikuar sot, vlerëson se situata e bizneseve është përkeqësuar në tremujorin e fundit të vitit 2013. OEK ka thënë se sheh shpresa te Fondi Zhvillimor për ringjalljen frymës së bizneseve.

Lajme

01/03/2014 15:21

Situata e bizneseve të Kosovës është përkeqësuar në tremujorin e fundit të vitit 2013 në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë, thuhet në një raport të Odës Ekonomike të Kosovës, të publikuar sot.

Raporti i cili është mbështetur nga qeveria gjermane përmes organizatës “GIZ” vlerëson klimën e bizneseve për tre mujorin e katërt të 2013

Përveç përkeqësimit të gjendjes së bizneseve, ky raport ka vërejtur rënie te të gjithë sektorët, por më e thelluar tek tregtia me pakicë.

Sido që të jetë, raporti thotë që pritjet për të ardhmen janë më optimiste në krahasim me tremujorët e kaluar.

Sipas raportit, pengesë kryesore te një e pesta e bizneseve të përfshira në të, mbetet mungesa e financave

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka bërë bëri krahasimin mes tremujorëve dhe është shprehur se një indikator i tillë aplikohet nga më se 100 vende të botës, të cilat pastaj orientojnë politikat e tyre ekonomike nga rezultatet e këtij indikatori.

“ Kosovës i mungojnë të dhënat mbi trendet ekonomike, andaj qëllimi i OEK’ut është që përmes këtij indikatori t’i ndihmojmë vendit në orientim të politikave dhe në identifikimin e problemeve të biznesit dhe aspektin e punësimit”, tha Gërxhaliu.

Ekrem Hyseni, përfaqësues i organizatës gjermane GIZ, tha se kjo organizatë i ka dhënë një rëndësi të veçantë këtij projekti.

“Përmes këtij barometri në tremujorin e katërt të 2013, kemi mundësi të shohim se si ka qenë gjendja reale e bizneseve, vlerësimi dhe pritjet e tyre”, u shpreh Hyseni.

Oda Ekonomike ka vlerësuar se është e nevojshme të bëhet financimi i bizneseve përmes projekteve të ndryshme dhe njëherit u cilësua si nismë mjaftë e mirë iniciativa për themelimin e fondit zhvillimor dhe u rekomandua që të bëhet orientimi i investimeve jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në aspektin e mbështetjes së bizneseve përmes stimujve fiskal përfshirë edhe “pushimet” nga taksat.