Trekëndëshi i drogës Shqipëri-Kosovë-Serbi

Presidenti i Senatit italian, Pietro Grasso ka thënë se Italia është e informuar dhe disponon fakte se Shqipëria është një vend potencial në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike drejt Evropës. Sipas tij ekziston një pikë grumbullimi e drogës mes tre vendeve, Shqipëri-Kosovë-Serbi, dhe më pas droga tregtohet drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Lajme

06/05/2014 19:53

Grasso, i cili për disa kohë ka mbajtur postin e Antimafies në Itali, gjatë vizitës në Tiranë, ka theksuar se prej kohësh në dijeni të këtyre informacioneve për trafikun e drogës dhe  hetimeve, ka rezultuar se ka ekzistuar një pikë grumbullimi droge në Ballkan, e cila më pas shpërndahej në Europë nëpërmjet detit dhe tokës, raporton Shekulli.

“Unë për situatën kriminale kam një informacion që para një viti. Por unë mund t’ju them se ka pasur një lloj kanali të madh të trafikut drogës nga Ballkani, nga deti dhe toka. Madje kemi bërë disa hetime dhe na ka rezultuar se ka ekzistuar një pikë grumbullimi e drogës mes Shqipërisë-Kosovës dhe Serbisë, për t’i shpërndarë më pas në Evropë”, ka thënë ai.

Grasso sugjeroi që pasuritë e organizatave kriminale që janë sekuestruar t’iu ofrohen personave që kanë nevojë, veçanërisht në periudha të tilla krize.

“Duhet të sekuestrohen pasuritë e organizatave kriminale. Dhe këto t’iu ofrohen personave që kanë nevojë, veçanërisht në periudha të tilla krize. Ne kemi informacion se po ndërmerren reformat e duhura”.