“Trekëndëshi i Bermudëve” në QKUK

Ashtu sikurse te “Trekëndëshi i Bermudës” ku aeroplanë dhe anije janë zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga fenomene natyrore, ashtu edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës prej vitesh zhduken barërat, prishen aparaturat dhe pacientëve u ndodhin ngjarje të çuditshme, edhe të tmerrshme, dhe krejtësisht të pashpjegueshme.

Opinion

26/05/2015 16:10

Trekëndëshi i Bermudës, i njohur edhe si Trekëndëshi i Djallit ose Trekëndëshi i Mallkuar, është një zonë në oqeanin Atlantik, i njohur nga rrëfimet e medieve për dukuritë e jashtëzakonshme që thuhet se ndodhin atje. Në këtë zonë, të rrethuar me ishuj të bukur, ka pasur edhe ngjarje misterioze të vërtetuara që nga viti 1800. Anije, aeroplanë dhe ekuipazhe janë zhdukur në mënyrë të “pashpjegueshme”, pa lënë asnjë gjurmë pas. Ka ende disa ndodhi që nuk janë sqaruar përfundimisht, të cilat kanë krijuar pjesërisht prova shpjeguese shumë të çuditshme, por shkencërisht krejtësisht të pashpjegueshme.

Këto ngjarje që kanë ndodhur te “Trekëndëshi i Bermudës” afër brigjeve të Floridas, kanë qenë bazë për një numër të madh veprash letrare, filmash dhe faqesh të ndryshme të internetit. Dhe ngjashëm si atje, ndodhitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që prej pasluftës e deri më sot, shpeshherë janë bazë për “kronika të zeza” në TV, në faqet e gazetave dhe portalet online. Janë lajme për ndodhi, shpeshherë të tmerrshme për nga natyra dhe të pashpjegueshme për nga përgjegjësia.

Për korrektësi, po përmend faktin se në QKUK kryhen rreth 30 mijë operime brenda një viti, dhe kjo është diçka që duhet përshëndetur. Aty ka mjekë të mirë, profesionistë dhe human, të cilët e kryejnë punën e tyre me përgjegjësi maksimale, përkundër faktit se punojnë në kushte jo të volitshme për punë. Mjekë të tillë, profesionistë dhe human ka edhe nëpër qendrat tjera spitalore në Kosovë, që kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish. Por, në QKUK, në Kosovë, ka edhe mjekë që i ka zënë puna në anën tjetër.

Prej pasluftës e deri më sot, në QKUK kanë ndodhur “fenomene” të pashpjegueshme sa që pacientët e kanë të vështirë ta shikojnë mjekun si engjëll. Shumë prej tyre e shikojnë “mjekun e Kosovës” si djallin e tij, prandaj ia mësyjnë spitaleve të rajonit për tu kuruar e operuar nga sëmundje që kryehen edhe në QKUK, disa madje edhe më mirë se kudo tjetër në rajon. E gjithë kjo ndodhë nga frika që ka pacienti se mund të pësojë nga “trekëndëshi” i instaluar brenda QKUK-së.

Në QKUK, në njërin kënd qëndrojnë menaxherët e klinikave (jo të gjithë natyrisht) dhe disa nga mjekët servilë të tyre; këndi tjetër është politika, partitë politike që caktojnë menaxherët në krye të secilës klinikë; dhe këndi i tretë është ai i klaneve të interesit që lidhet ngushtë me disa ish zyrtarë e zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Këto tre kënde krijojnë “Trekëndëshin e Bermudës në QKUK”, që kontrollon tregun e barërave, orientimin e pacientëve dhe shërimin e tyre në klinikat private dhe jashtë vendit.

Pacientët në Kosovë, jo vetëm në QKUK, kanë përjetuar tmerre të pashpjegueshme prej vjetësh: kanë përjetuar lindjen në korridor, helmimin nga ushqimi, mungesën e oksigjenit, mungesën e barërave elementare, mungesën e gjakut, vendosjen e stentave të skaduara në zemër (me dhe pa arsye), maltretime poshtëruese nga stafi mjekësor, e deri të mungesa e shtretërve, ngrohjes dhe higjienës elementare. Aty janë shpallë të prishura pajisjet për “hatër” të një spitali privat; kanë munguar ilaçet derisa në tregun privat ka pasur me bollëk; dhe çfarë është më elementarja, vazhdon të mungojë sjellja njerëzore e shumë mjekëve që i ka tjetërsuar paraja.

Në Kosovë ka një sistem shëndetësor gjysëm të kriminalizuar prej vitesh, i cili mbase duhet përmbysur i tëri, për ta ndërtuar ashtu siç do të duhej të ishte. Në QKUK, sidomos kur bëhet fjalë për pozita, barëra e pajisje shëndetësore të teknologjisë së re, “trekëndëshi” pozicionohet jashtëzakonisht fortë për të mbajtur nën kontroll biznesin ilegal. Andaj, është mirë që mjekët të protestojnë për kushtet e tyre dhe të pacientëve, jo të këshillojnë dhe as të kërcënojnë mediet se kur duhet publikuar emri i atyre që janë nën hetime. Sepse ata që janë arrestuar tash dhe më parë, nuk janë të mitur e që mediet për shkaqe etike nuk duhet t’ua publikojë emrin; dhe së dyti, nuk është përgjegjësi e medieve nëse prokuroria e policia veprojnë duke u bazuar në thashetheme.

Mediet nuk e dëshirojnë gjykimin pa bazë të askujt dhe aq më pak kriminalizimin e shëndetësisë. Por në QKUK ndodhet “Trekëndëshi i Bermudëve” i shëndetësisë kosovare, ku të gjithë, politika, prokurorët, gjyqtarët, policia, mjekët, mediet, duhet të japim kontributin e tyre për t’i tejkaluar dëmet që shkakton ky trekëndësh.