Tregu bankar, ende i pakonsoliduar

Tregu bankar i Kosovës është ende i pakonsoliduar. Aktiviteti kryesor i tij janë kryesisht degët bankare të huaja, theksohet në një analizë të dalë nga hulumtime e Open Data Albania.

Lajme

04/08/2014 16:08

Vetëm Banka Ekonomike ka 100 për qind kapitalin vendës, ndërsa ajo e Biznesit 43 për qind, të tjerat janë degë bankash të huaja.

Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me numrin e subjekteve financiare, që janë licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës në vitet 2010-2013. Subjektet financiare që licencohen nga kjo bankë janë bankat komerciale, fondet pensionale, kompanitë e sigurimeve, institucionet mikrofinanciare, institucionet financiare jo banka, zyrat për transferimin e parave, ndërmjetësuesit në sigurime dhe zyrat e këmbimit valutor, sqaron njoftimi.

Në Kosovë funksionojnë 9 banka apo degë bankare. Ato janë ProCredit Bank, Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C., NLB Prishtina sh.a, Banka për Biznes, Banka Ekonomike, TEB sh.a, Banka Kombëtare Tregtare – dega Kosovë, Komercijalna Banka – dega Mitrovicë, Turkiye Is bankasi – dega Prishtinë.

Ndër to, Banka për Biznes ka 43% kapital vendës dhe Banka Ekonomike 100% kapital vendas. Bankat e tjera janë degë të bankave të huaja.

Tregu bankar kosovar në analizën e ODA karakterizohet nga veprimtari e degëve të bankave të huaja duke mos shfaqur tipare të një tregu bankar në një shtet të konsoliduar vetëqeverisës.

Banka Qendrore është treguar konservatore në mundësinë e licencimit për banka të mirëfillta vendase, qofshin këto edhe me kapitale të huaja. Bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë banka që kryesisht kanë licencë të mirëfilltë aktiviteti në vende të tjera të Ballkanit.

Sipas artikullit hulumtues te Open Data Albania, në vitin 2013 subjekte të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës si zyra të këmbimit të valutave janë 33, 14 subjekte janë institucione mikrofinanciare, dhe 13 janë kompani sigurimi.

Gjatë këtij viti BQK ka aprovuar 96 kërkesa për hapje të degëve të reja të bankave, të kompanive të sigurimit, si dhe institucioneve të tjera financiare.