Tregtarët kinezë pas Kosovës po braktisin edhe Serbinë

Pas Kosovës, tregtarët kinez të përqendruar kryesisht në Serbi, po e braktisin edhe këtë vend. 

Lajme

04/01/2015 23:59

Të gjithëve na kujtohet, kur në vitet e para pas luftës, në çdo cep të rrugëve të Prishtinës, por edhe qyteteve tjera të Kosovës, gjeje dyqane kineze.

Tanimë zor se gjendet ndonjë i tillë nëpër Kosovë. Largimi i tyre po ndodhë edhe nga Serbia, ku vlerësohet të ishte qendra e tyre në rajon.

Ata ankohen se ka pak blerje, dhe edhe ata pak që kanë ngelur në Beograd, zor se do të mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre edhe gjatë vitit 2015, raporton lajmi.net.

Arsye thuhet të jetë gjendja e dobët ekonomike në Serbi, dhe rënia e interesimit te qytetarët për mallrat e tyre.

“Situata është përkeqësuar, dhe kështu në dy tre vitet e fundit, puna ka rënë shumë. Unë nuk e di se çfarë do të bëjmë. Disa nga kolegët tanë tanimë janë kthyer në Kinë, ndërsa ne ende vazhdojmë të shpresojmë për ditë më të mira”, raporton gazeta serbe Blic, te jetë shprehur Min Gong. (lajmi.net)