“Tre vrasës ndodhen në Shqipëri pasi therën 19-vjeçarin grek”

Familjarët e 19-vjeçarit në Greqi, që dyshohet se u vra nga 3 shqiptarë, fajësojnë Policinë e Athinës për hetimet.

Lajme

25/04/2018 12:54

Avokati i familjes, Alexis Kougias thotë se neglizhenca e tyre ka bërë që 3 shqiptarët e dyshuar të arratisen nga vendi. Sipas prindërve të 19-vjeçarit, shqiptarët u larguan nga Greqia që ditën e vrasjes. Ata shkuan në Shqipëri duke kaluar nga dogana e Kakavijes dhe nuk u ndaluan nga policia, sipas informacioneve që disponon familja 19-vjeçarit të ndjerë.

Familjarët dhe avokati i tyre Alexis Kougias u takuan me shefin e departamentit të krimeve për të diskutuar rreth hetimeve të vrasjes së djalit të tyre. Sipas tyre, nëse policia do të kishte vepruar më shpejtë, ata mund të ishin arrestuar.

Autoritetet greke i kanë identifikuar 3 shqiptarët e dyshuar. Një ditë më parë u zbardh krimi, ndërsa mediat greke raportuan se autorët janë 23, 24 dhe 33 vjeç. Hetimet zbuluan se 19-vjeçari i kishte dhënë njërit prej tyre 170 Euro për të blerë disa doza kanabisi nga shqiptarët, por këta të fundit nuk ia dhanë.

Më pas debatet mes tyre bënë që njëri prej shqiptarëve të dyshuar të qëllonte me thikë 19-vjeçarin grek, i cili ndërroi jetë në spital. Por familjarët e viktimës i thanë policisë se djali i tyre nuk ishte i përfshirë në çështje droge.

Prindërit dhe avokati këmbëngulën që të publikonin fotot dhe emrat e 3 shqiptarëve të dyshuar, por policia refuzoi diçka të tillë për shkak se dëmtojnë hetimet. Ndërkohë, hetuesit grekë kanë shpallur në kërkim shqiptarët dhe pritet të nxjerrin urdhëra arresti ndërkombëtar ndaj tyre.