Tre vje pas, familjet e viktimave të MH17-ës presin drejtësinë

Evert van Zijtveld nuk dëshiron të flasë për rrëzimin e aeroplanit në lindje të Ukrainës, më 2014. Ai vetëm se kërkon drejtësi për dy fëmijët e tij adoleshentë që kanë vdekur në këtë fatkeqësi.

Bota

17/07/2017 12:23

Por, tre vjet nga rrëzimi i aeroplanit të kompanisë Malaysia Airlines, babai holandez, i cili ka humbur edhe vjehërrit në këtë fatkeqësi, vazhdon të presë. Ashtu bëjnë të gjithë të afërmit e të 298 pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Aeroplani Boeing 777 është rrëzuar në një udhëtim rutinë nga Amsterdami për në Kuala Lampur.

“Kushdo që e ka bërë, duhet të sillet para drejtësisë. Kjo është e gjitha që mund të them”, tha van Zijtveld për Radion Evropa e Lirë, përmes telefonit.

Fluturimi MH17 është nisur nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit më 17 korrik, 2014, në orën 12:31, sipas kohës lokale. Pasi ka fluturuar mbi Gjermani dhe Poloni, aeroplani, siç ka qenë e planifikuar, ka kaluar në jug të hapësirës ajrore të Ukrainës.

Kontrollorët e trafikut ajror kanë humbur kontaktet me të më pak se dy orë pas nisjes – pra, me të hyrë në hapësirën ajrore mbi territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në Ukrainë.

Menjëherë pas kësaj, kanë dalë raportet për një aeroplan të zhdukur. Ato janë pasuar me pamje nga vendi i rrëzimit dhe me dëshmitarë duke folur për dhjetëra trupa nëpër tokë.

Të 283 pasagjerët – përfshirë vajzën 19 vjeçe dhe djalin 18 vjeç të van Zijtveld, të cilët ishin nisur për pushime në Bali, me gjyshërit e tyre – kanë vdekur. Nuk ka mbijetuar askush as nga 15 anëtarët e ekuipazhit.

Nga viktimat, 189 kanë qenë shtetas holandezë, 44 – përfshirë ekuipazhin – kanë qenë malajzianë, 27 australianë, 12 indonezianë, 10 britanikë, katër gjermanë, katër belgë, tre filipinas, dhe nga një nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Zelanda e Re, Hong Kongu dhe Irlanda, shkruan REL.

Përveç pyetjeve rreth asaj që ka ndodhur, është rritur edhe konfuzioni dhe dezinformimi.

Komunikimet e bëra publike disa ditë pas fatkeqësisë, tregonin separatistët pro-rusë duke diskutuar për rrëzimin e një avioni, por që pas rrëzimit e kanë kuptuar se është civil dhe jo luftarak.

Në tetor të vitit 2015, Bordi Holandez i Sigurisë ka konstatuar se aeroplani është rrëzuar me një raketë të prodhuar në Rusi dhe ka theksuar se zona nga e cila është hedhur raketa, është kontrolluar nga separatistët.

Ky konstatim është pasuar me një raport të Bellingcat, një ekip i hetuesve të pavarur, i cili ka thënë se ka identifikuar raketën ruse Buk si armë me të cilin është rrëzuar aeroplani i pasagjerëve.

Në shtator të vitit 2016, ndërkaq, Ekipi i Përbashkët Hetues Ndërkombëtar ka thënë se raketa Buk është sjellë në Ukrainë nga Rusia pak kohë përpara se të rrëzohej aeroplani dhe se më pas është kontrabanduar sërish në Rusi. Ekipi i Përbashkët Hetues po ashtu ka thënë se raketa është hedhur nga një rajon i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Avokati amerikan, Jerome Skinner, udhëheq rastin e 33 të afërmve të viktimave nga Australia, Zelanda e Re dhe Malajzia, të cilët kanë paditur Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar 330 milionë dollarë dëmshpërblim.

Skinner tha se provat mund të çojnë vetëm në një përfundim.

“Ju vërtet mendoni se nuk keni asnjë përgjegjësi për familjet e 80 fëmijëve në bord?”, ka pyetur Skinner Putinin në një letër të hapur më 12 korrik.

“A i keni parë kukullat, librat me ngjyra dhe lodrat midis gjakut dhe kërdisë?”, ka pyetur Skinner.

“Çfarë për të tjerët? Klientët e mi kanë pritur tre vjet zoti Putin. Nuk ka ende përgjegjësi. Ju jeni i vetmi që mund ta vendosë drejtësinë”, ka thënë avokati Skinner.

Pavarësisht provave dhe shumë gishtave që tregojnë për përfshirjen ruse në rrëzimin e aeroplanit, Kremlini e ka mohuar. Rusia po ashtu ka hedhur poshtë akuzat, të mbështetura nga prova të bollshme, se ka dërguar armë dhe trupa në lindje të Ukrainës, për të mbështetur separatistët që luftojnë forcat qeveritare.

Ambasadori i Ukrainës në Holandë, Vsevolod Chentsov, tha se “gjithçka varet nga vullneti politik i Federatës Ruse”, edhe pse konventat e Këshillit të Evropës e obligojnë Rusinë të ofrojë ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, siç është edhe rasti i fluturimit MH17.

Edhe pse nuk është emëruar asnjë i dyshuar, përparim në hetime është bërë.

Më 13 korrik, ministri i Transportit i Malajzisë, Datuk Seri Liow Tiong Lai, u ka thënë gazetarëve se mbi 200 njerëz janë marrë në pyetje në lidhje me rastin dhe se pret që të ngrihen akuza deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2018.

Më 5 korrik, Ministria e Jashtme e Holandës po ashtu ka thënë se çdo i dyshuar për rrëzimin e fluturimit MH17 do të ndiqet penalisht nga një gjykatë holandeze. Ministria ka thënë se Holanda ka arritur marrëveshje për këtë me Australinë, Belgjikën, Malajzinë dhe Ukrainën.