Tre kandidatë në garë për Avokat të Popullit

Tre emra për Avokatin e Popullit do t’i shkojnë Kuvendit të Kosovës javën e ardhshme për votim. Deputetët kanë mundësi të zgjedhin ndërmjet Gjyljeta Mushkolajt, Hilmi Jasharit dhe Adriana Hoxhiqit.

Lajme

25/02/2014 10:48

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për Avokatin e Popullit është drejt fazës përfundimtare.

Me votim të fshehtë, paneli intervistues javën e kaluar ka përzgjedhur tre emra, nga 22 kandidatë sa kanë konkurruar për këtë pozitë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore e Persona të Pagjetur, Suzan Novobërdali thotë se procedura e përzgjedhjes së kandidatëve ka qenë transparente dhe është monitoruar edhe nga organizata të ndryshme, përfshi edhe Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, raporton Radio Kosova.

“Kemi qenë të monitoruar nga ata, janë nda të kënaqur shumë me punën e panelit. E kemi pasur një panel shumë transparent përballë tyre”.

“Tre emrat që kanë marr më së shumti pikë, janë Hilmi Jashari, Gjyljeta Mushkolaj dhe Adriana Hoxhiq”.

Pas kalimit të këtyre emrave edhe në komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut që është mbledhur sot, i mbetet Kryesisë së Kuvendit që të procedojë më tej.

Novobërdali beson se javën e ardhshme do të votohet në Kuvend për Avokatin e Popullit.

“E hëna ardhshme është takimi i Kryesisë dhe Kryesia e procedon për në Parlament. Unë besoj se këta do të shkojnë në votim të enjten e ardhshme, pas dhjetë ditësh”.

Mandati i Avokatit të Popullit zgjat pesë vjet pa të drejtë rikandidimi. Avokatit aktual, Sami Kurteshi, mandati i përfundon më 4 qershor.