Tre fytyrat e Trump

Asnjëherë në historinë bashkëkohore nuk ka tërhequr kaq shumë vëmendje dhe spekulim një ndryshim liderësh sa fitorja e presidencës amerikane nga ana e Donald Trump. Se çfarë nënkupton dhe paralajmëron ky ndryshim kërkon zbulimin e tri mistereve, sepse eksitojnë tre versione të Trump.

Opinion

05/03/2017 23:24

E para është se Trump është mik i presidentit rus Vladimir Putin. Entuziazmi për Putin është pjesa më e pandryshuar e retorikës së tij. Pavarësisht një pikëpamjeje që i portretizon SHBA-të si një viktimë të fuqive të huaja – Kinës, Meksikës, Iranit, Bashkimit Evropian – afshi i Trump ndaj Putin është i qartë.

Trump është ose admirues i madh i liderit Putin ose një vegël e hershme e inteligjencës ruse. Ka me siguri një histori prapaskene këtu, një histori që do të mund të shkatërronte administratën Trump nëse disa prej fjalëve të tmerrshme që qarkullojnë konfirmohen. Ne tanimë i dimë disa data dhe detaje kyçe në ‘dosjen’ famëkeqe të marrëdhënieve të Trump me Putin, të mbledhur nga një ish-oficer i inteligjencës britanike të cilat janë verifikuar, transmeton lajmi.net.

Një grup në rritje provash sugjerojnë se Trump është mbështetur nga paratë ruse prej dekadash. Oligarkët rus mund ta kenë shpëtuar Trump nga falimentet personale dhe njëri thuhet se ka udhëtuar te disa ndalesa të fushatës së tij, ndoshta duke vepruar si një ndërmjetës me Kremlinin.  Dhe shumë anëtarë të lartë të ekipit Trump, duke përfshirë edhe menaxherin e tij të parë të fushatës, Paul Manafor;  këshilltarin e fundit të sigurisë kombëtare tashmë të dorëhequr Michael Flynn;  ish drejtorin e ExxonMobil dhe tani sekretari i shtetit Rex Tillerson dhe sekretari i Tregtisë Wilbur Ross- të gjithë këta kanë marrëdhënie të rëndësishme të biznesit me Rusinë apo oligarkët rusë.

Versioni i dytë i Trump është një biznesmen i babëzitur. Trump duket se e ka shndërruar presidencën në një tjetër burim të pasurisë personale. Për shumicën e njerëzve, presidenca do të dukej si një vlerësim për të, pa i ofruar para (të paktën jo gjatë mandatit). Jo për Trump. Ndryshe nga të gjitha normat e mëparshme dhe në shkelje me të gjitha standardet e Etikës së Posteve Qeveritare, Trump po e mban perandorinë e tij të biznesit, ndërsa anëtarët e familjes manovrojnë për ta përkthyer emrin e Trump në para në investime të reja në mbarë botën.

Trump i tretë është një popullit dhe demagog. Trump është një burim i gënjeshtrave, i cili lë mënjanë korrigjimet e pashmangshme nga mediat me akuzat ‘lajme të rreme’. Për herë të parë në histroinë moderne amerikane , presidenti në mënyrë të ashpër kundërshton shtypin. Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndaloi pjesëmarrjen e New York Times , CNN, Politiko , dhe Los Angeles Timesnë një deklaratë të sekretarit të shtypit.

Në disa interpretime, demagogjia e Trump është në shërbim të kryestrategut të tij, Stephen Bannon, i cili mbron një version të errët për një luftë të ardhshme të qytetërimeve. Duke ngritur frikën në nivelin më të lartë të mundshëm, Trump synon të krijojë një nacionalizëm të dhunshëm të “Amerikës e para”. Hermann Goring e shpjegoi formulën nga qelia e tij në burgun e Nurembergut pas luftës së dytë botërore: “Njerëzit gjithnjë mund të sundohen nga liderët. Është e thjeshtë. Gjithçka që duhet të bësh është t’i thuash atyre se po sulmohen dhe të denoncosh paqësorët për mungesë patriotizmi dhe ta ekspozosh vendin ndaj rrezikut. Funksionon njëlloj në çdo vend”.

Një tjetër teori është se që të tre Trumpët – miku i Putin, oportunisti pasanik dhe demagogu – janë në të vërtet një: Trumpi, biznesmeni që është mbështetur prej kohësh nga rusët, të cilët e kanë përdorur atë për vite si një mënyrë për të pastruar paratë. Dikush mund të thotë se ata fituan xhekpotin, duke vënë pak para bast – përmes manipulimit të zgjedhjeve që ata me shumë gjasa nuk prisnin që ai t’i fitonte – dhe duke marrë një shpagim të majmë. Në këtë interpretim, sulmet e Trump ndaj shtypit, agjencive të inteligjencës dhe veçanërisht FBI synojnë diskreditimin e këtyre organizatave përpara se të zbulohen marrëveshjet Trump-Rusi.

Ata që kanë jetuar në periudhën e Uotergejt e mbajnë mend se sa e vështirë ishte të vihej Nikson përpara llogarisë. Pa zbulimin e përgjimeve sekrete të Shtëpisë së Bardhë, Nikson me shumë siguri do t’ia kishte hedhur ndaljes në gjyq dhe do të kishte vazhduar mandatin. E njëjta gjë është e vërtetë për Flynn, i cili gënjeu gjatë gjithë kohës publikun dhe zëvendëspresidentin Michael Pence, rreth komunikimeve të tij me ambasadorin rus përpara se të merrte postin. Ashtu si Nikson, ai ngeci në grackë vetëm se gënjeshtrat e tij u regjistruan, në këtë rast nga agjencitë amerikane të inteligjencës.

Kur gënjeshtrat e Flynn u ekspozuan, reagimi i Trump si gjithnjë, ishte të sulmonte rrjedhjen e informacionit dhe jo gënjeshtrat. Leksioni kryesor i Uashingtonit dhe i politikave autoritare, është se gënjeshtra është shpresa e parë dhe jo e fundit.

Nëse Kongresi ka mjaftueshëm anëtarë të ndershëm, një shumicë, duke e ditur se republikanët nuk do të qortojnë republikanët, do të kërkojë një investigim të pavarur të lidhjeve ruse të Trump. Senatori republikan Rand Paul ishte i qartë në këtë pikë, duke deklaruar se ‘nuk ka kuptim’ që republikanët të hetojnë republikanët. Trump duket i vendosur të vazhdojë presionin ndaj FBI, agjencive të inteligjencës, gjykatave dhe medias.

Demagogët mbijetojnë për shkak të mbështetjes së publikut, të cilën ata përpiqen ta ruajnë përmes thirrjeve nacionaliste, patriotike, raciste dhe frikës. Ata i mbulojnë mbështetësit e tyre me para, në formën e uljes së taksave dhe transferove të të ardhurave, të paguara duke rritur borxhin publik dhe duke ia lënë faturën brezave të ardhshëm.  Trump deri tani i  ka mbajtur plutokratët e Amerikës të kënaqur, përmes premtimeve të uljeve të papërballueshme të taksave, ndërsa i ka hipnotizuar mbështetësit e tij të klasës punëtore me urdhra ekzekutivë për deportimin e imigrantëve të paligjshëm dhe ndalimit të udhëtimit nga vendet me shumicë myslimane.

Asnjëra nga këto nuk e ka bërë Trumpin shumë popullor. Normat e tij të miratimit janë në rekord të ulët për një president të ri, rreth 40%, ku 55% e të anketuarve që u përgjigjën nuk e miratonin. Sfidat juridike për veprimet ekzekutive, grindjet me median, tensionet rreth rritjes së deficiteve buxhetore dhe zbulimet e reja rreth Trumpit dhe Rusisë, do ta mbajnë situatën nën presion – dhe mbështetja publike ndaj Trump mund të zhduket.

Në këtë rast, liderët republikanë me shumë gjasa do t’i kundërvihen Trump. Por askush nuk duhet të nënvlerësojë gatishmërinë e një demagogu për të përdorur frikën dhe dhunën -madje edhe luftën -për të mbajtur pushtetin. Dhe nëse Putin është vërtet përkrahësi dhe partneri i tij, tundimet e Trump do të jenë të forta./Lajmi.net/

(Jeffrey David Sachs është një ekonomist amerikan dhe profesor në Universitetin e Kolumbisë)

/Lajmi.net është pjesë e Project Syndicate/