Tre fëmijë me leukemi dërgohen për shërim jashtë vendit

Pas ditëve të vikendit tri raste të fëmijëve të prekur nga sëmundja e leukemisë do të dërgohen për mjekim jashtë vendit, ndërkaq tri raste që janë duke u mjekuar jashtë vendit do të ndihmohen me mjete shtesë.

Lajme

23/05/2014 17:37

Tri raste të fëmijëve të prekur nga sëmundja e leukemisë do të dërgohen për mjekim jashtë vendit pas ditëve të vikendit, ndërkaq tri raste që janë duke u mjekuar jashtë vendit do të ndihmohen me mjete shtesë. Shuma e shërimit për këto gjashtë raste do të jetë 730.000 euro.

Kjo është bërë e ditur sot gjatë nënshkrimit të Ministrit në largim  të  Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani dhe Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Gani Shabani, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë.

 “Tri raste (D.N. , S.S., dhe S.H.), do të dërgohen për mjekim jashtë vendit menjëherë pas vikendit, ndërsa tri raste të tjera (R.R,  F.H. dhe A.G.) të cilat janë duke u mjekuar jashtë vendit, pasi Ministria i kishte mbështetur më parë me nga 30.000 euro, do të mbulohen me mjete shtesë, për të kryer trajtimin e plotë”.

“Këto gjashtë raste do të trajtohen në Gjermani (5) dhe Austri (1), ndërsa do të kushtojnë 730.000 euro. Mjetet që do të përdoren janë pjesë e Fondit prej 5.5 milionë eurove që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndarë për trajtimin e fëmijëve me leukemi dhe raste të kancerit”, thuhet në komonikatën e MSh-së.

Muaj më parë Qeveria e Kosovës kishte ndarë një shumë prej 5.5 milionë euro për shërim të fëmijeve që vuajnë nga  kanceri dhe  leukemia.