Tre bullgarë dhe dy serbë vdesin nga ngricat

Tre persona janë gjetur të ngrirë në Bullgari, ndërsa dy të tjerë në Serbi, pas stuhisë që ka goditur Ballkanin gjatë fundjavës, raporton agjencia e lajmeve DPA, duke iu referuar njoftimeve të autoriteteve lokale.

Lajme

30/12/2014 17:45

Në jugperëndim të Bullgarisë, qindra automobila janë bllokuar për shkak të borës në rrugë të pakalueshme dhe mijëra familje kanë mbetur pa rrymë në territorin Vidin, kanë raportuar mediat lokale.

Disa rrugë në Serbi po ashtu ishin të pakalueshme, ndërsa vende-vende shtresa e borës ka arritur trashësinë deri në dy metra, në pjesën verilindore. Ministria e Brendshme tha se disa fshatra kanë ngelur pa rrymë elektrike.

Temperatura të ulëta mbretërojnë edhe në Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, e në vende të tjera të rajonit, por aty nuk janë regjistruar viktima nga të ftohtit.