Trashja e monopolit në homologim të automjeteve në kundërshtim me Ligjin

Autoriteti i Konkurrencës thotë se Udhëzimi Administrativë për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës.

Lajme

25/04/2018 12:05

Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Valon Presreshi, ka thënë për KALLXO.com se ata kanë dërguar komente në draftin e këtij udhëzimi, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj.

“Lidhur me këtë udhëzim administrative Autoriteti Kosovar i Konkurrencës gjatë fazës së hartimit të këtij U.A, ka dhënë mendimin profesional duke e rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës që t’i rishikojë nenet e caktuara për të cilat Autoriteti ka konsideruar që bien ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, tha Prestreshi për KALLXO.com.

Udhëzimi Administrativ është nënshkruar më 12 prill 2018, mirëpo ka hyrë në fuqi më20 prill. Por, Ministria e Infrastrukturës nuk i ka ndryshuar nenet të cilat e betonojnë monopolin në fushën e Homologimit të Automjeteve.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës shpreh shqetësimin e tij për miratimin e këtij udhëzimi administrative i cili nuk i ka marrë për bazë vërejtjet dhe rekomandimet e AKK-së. Autoriteti kërkon nga Ministria e Infrastrukturës qe Urgjentisht ta marrë për bazë mendimin profesional të Autoritetit, duke e ndryshuar këtë udhëzim administrative, sepse si i tillë shpie në sjellje anti-konkurruese, dhe ç’rregullon dhe shtrembëron tregun përkatës”, ka thënë Prestreshi.

Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar se përmes rrugëve ligjore do të parandalojë zbatimin e këtij udhëzimi.

“Në të kundërtën Autoriteti do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësit ligjore, e gjithashtu këtë çështje do ta ngrisim edhe te institucionet tjera përkatëse”, tha ai.