Trashëgimtari i Samsung, 5 vite burg për korrupsion (Video)

Lee Jae-yong, trashëgimtari i familjes themeluese të gjigantit koreano-jugor Samsung është dënuar me 5 vjet heqje lirie për korrupsion. Rasti i tij ka mbërthyer opinionin publik në mesin e zemërimit në rritje ndaj kompanive më të mëdha të vendit te njohura si “Chaebols”.

Auto & Tek

25/08/2017 18:54

Li, që i mohon të gjitha akuzat, rrezikonte deri në 12 vjet burgim. Kaq kishte kërkuar Prokuroria, ndërsa Gjykata vendosi ta reduktojë në 5 vjet. Miliarderi nuk do ta ndalë këtu betejën e vet gjyqësore.

“Si avokat, nuk i pranoj dot argumentet ligjore apo faktet e paraqitura. Do ta apelojmë vendimin menjëherë dhe jemi të bindur se do të arrijmë ta përmbysim”, u shpreh Song Wu-Cheol, avokat mbrojtës, transmeton Top Channel.

Akuzat ndaj 49 vjeçarit nisin nga mitdhënia, mashtrimi e shkojnë deri tek fshehja e aseteve jashtë kufijve.

Li përfundoi në bankën e të akuzuarve pas përfshirjes në skandalin që solli rrëzimin e më pas arrestimin e ish-Presidentes së vendit Park Geun-hye. Numri dy i  Samsung Electronics nuk ka pranuar asnjëherë se është përpjekur të sigurojë favore politike.

Menaxheri i prangosur në muajin shkurt, akuzohet se i ka premtuar apo mbase edhe derdhur në llogari 38,3 milionë dollarë mikeshës së ngushtë e më të besuar të Park, Choi Soon-sil, në këmbim të një vendimi të favorshëm për bashkimin e dy degëve të Samsung.

Bashkimi do të kishte lehtësuar rrugën e Lee-se për të marrë kontrollin e plotë të konglomeratit nga babai i tij. /Lajmi.net/