Tranzicioni i EULEX-it nis më 15 qershor

“Tranzicioni EULEX-it në mision të ri do të fillojë më 15 qershor dhe do të bëhet përmes shkëmbimit të letrave si herën e kaluar dhe ratifikimit në Kuvend”, ka thënë Hajredin Kuçi. Po ashtu, sipas tij, do të ketë “tranzicion në menaxhment dhe në kompetenca\".

Lajme

25/03/2014 08:26

Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë propozimin e autoriteteve të Kosovës që misioni i EULEX-it të realizojë tranzicionin e EULEX-it në kuadër të mandatit të tanishëm, e që nënkuptonte të niste që në muajin e ardhshëm. Të hënën palët janë dakorduar që transicioni të nisë në qershor, shkruan “Koha Ditore”.

Brukseli zyrtar ka kërkuar më herët zgjatjen e mandatit të tanishëm edhe për 3 muaj, me qëllim të realizimit të transicionit të misionit aktual në misionin e ri.

Qeveria, nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar, pati shprehur pozicionin e saj se një zgjatje e tillë është në kundërshtim me marrëveshjen e mëhershme ndërmjet palëve, dhe mund të realizohet vetëm me një shkëmbim të ri të letrave në mes të BE-së dhe Kosovës. I pati dhënë BE-së një propozim konkret në lidhje me këtë çështje.

Hajredin Kuçi, ministër i drejtësisë, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” një nga rezultatet e takimit me autoritetet e BE-së.

“Kemi diskutuar për tranzicionin. Transicioni do të fillojë më 15 qershor dhe do të bëhet përmes shkëmbimit të letrave si herën e kaluar, dhe ratifikimin në Kuvend” ka thënë Kuçi, duke shtuar se “Do të ketë tranzicion në menaxhment dhe ne kompetenca”.