Transporti rrugor zhvillon ekonominë

Transporti rrugor i udhëtarëve në Kosovë është njëri prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë. Informaliteti, pengesat e lëvizjes së lirë nëpër shtetet e tjera, janë vetëm disa prej sfidave që ballafaqohet kjo industri.

Lajme

19/02/2014 13:52

Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Shoqatën e Transportit rrugor të udhëtarëve kanë organizuar një tryezë ku është diskutuar për sfidat e këtij sektori të ekonomisë.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Jakup Berisha, ka thënë se ky sektor është mjaft i rëndësishëm.

Por, sipas tij, ky sektor ka shumë sfida dhe sfida më e madhe është informaliteti.

“Industria e transportit rrugor numëron 250 kompani, me 110 autobus dhe 3.800 të punësuar, që kryejnë transportin urban, ndër-urban dhe ndërkombëtar dhe gjatë një viti rrugëtojnë mbi 30 milionë kilometra rrugë”.

“Edhe pse si shtyllë kryesore për transport të udhëtarëve, kjo industri është zhvilluar ekskluzivisht me forcat vetanake, me asnjë donacion nga vendi dhe as nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Pengesa kryesore e zhvillimit të kësaj industrie është informaliteti si dhe transporti ilegal i cili zhvillohet në Kosovë, i cili thithë mbi 20 % të të hyrave të pasagjerëve”.

“Operatorët nuk mund të lëvizin lirshëm me automjetet e veta në asnjë drejtim tjetër përveç në Shqipëri dhe Maqedoni”.

“Pa zhvillimin e kësaj industrie nuk ka zhvillim ekonomik e as stabilitet politik të asnjë vendi i cili varet ekskluzivisht nga transporti rrugor i udhëtarëve”.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha se ministria e tij bën politika ku përcaktohen kriteret dhe standardet. Ai tha se bashkëpunimet me autoritetet e tjera, do të japin fryte më të mira.

“Është një moment i duhur për të konstatuar progresin e jashtëzakonshëm që është bërë në Kosovë sa i përket infrastrukturës rrugore, i cili është elementi i parë i cili mundëson që transportuesit tonë të kenë një shërbim cilësor për të gjithë qytetarët e vendit”.

“Në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës është edhe transporti rrugor, një sektor mjaft i rëndësishëm për vendin tonë”.

“MI krijon politika zhvillimore për transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, përgatit infrastrukturën ligjore dhe aktet e tjera nën ligjore në fushat e transportit, duke përcaktuar standarde dhe kritere për ngritjen e nivelit të sigurisë”.

“Jo gjithmonë respektohen të gjitha këto politika që krijohen nga Ministria si dhe ligjet”.

“Bashkëpunimi me autoritetet e tjera të përfshira si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të forcohet edhe më shumë, dhe në fund do e shohim se do të jep rezultate të mira”.

 

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu kërkoi që të bëhet internacionalizimi i kësaj industrie. Ai kërkoi që të ketë një konkurrencë fer në gjithë sektorin privat.

“Kur bëhet fjalë për integrimin ekonomik doemos bëhet fjalë edhe për internacionalizimin e kësaj industrie. Na presin shumë sfida në internacionalizimin e kësaj industrie, qoftë në përmbushjen e kritereve, qoftë në avancimin e partneritetit në nivel bilateral, në nivel rajonal dhe më gjerë”.

“Konkurrenca fer duhet të jetë ajo që duhet të hap perspektivë për sektorin privat dhe për këtë industri të rëndësishme”.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Gëzim Gjikolli, tha se duke ditur rëndësinë e kësaj industrie, do të het edhe ulja e kostos të ulet, në mënyrë që kjo industri të avancohet.

“Në MTI transporti përbën pjesën më të rëndësishme të zhvillimit të këtij sektori të ekonomisë. Kosotaja e transportit në tregti përbën rreth 20% të kostos të gjithëmbarshme të vlerës së tregtuar të mallrave. Prandaj, edhe konsiderojmë se ulja e kostos në transport është njëri prej faktorëve kryesor për avancimin e tregtisë ndërshtetërore si dhe brenda shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, Drejtor i Divizionit të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Sheremet Ahmeti, tha se Kosova nuk është keq në aspektin e sigurisë rrugore.

“Policia e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë sigurisë në rrugë sepse humbja e jetës së njerëzve është e dhimbshme”.

“Siguria në Kosovë në aspektin statistikor nëse krahasohet me vitin 2012-2013, mendoj se ka një përparim sepse kemi rënie të aksidenteve me fatalitet diku për 10%. Gjithashtu kemi edhe rritje të dhënies së gjobave 287 mijë tiketa vetëm në vitin 2013”.

“Në janarin krahasuar me vitin paraprak është më i mirë, por muaji shkurt është shumë më i rënd se vitin e kaluar. Në vitin e kaluar kemi pasur 4 humbje jete e ndërkaq, deri më tash këtë vit fatkeqësisht kemi 9 humbje jete”.