Kryhet me sukes transplanti i parë në botë i fytyrës dhe qafës

Një spital i njohur për transplante të fytyrës ka kryer operacionin më të ndërlikuar në botë – rindërtimin e një fytyre dhe qafe në një procedurë që zgjati më shumë se 27 orë.

Lifestyle

02/04/2015 19:28

Spitali Vall d’Hebron në Barcelonë, i cili e arriti edhe transplantin e parë në botë të fytyrës në vitin 2010, tha dje se një ekip prej 45 doktorëve, kirurgëve, infermierëve dhe anesteziologëve morën pjesë në operacion.

Pacienti, 45 vjeçar, ka kërkuar që të mos identifikohet. “Kjo është hera e parë në botë që një transplant i këtij kompleksiteti është kryer me sukses”, tha spitali, transmeton Lajmi.net.

“Evolucioni i pacientit pas operacionit ishte i suksesshëm, ngjashëm me çdo transplant tjetër në spital. Tani ai është në shtëpi dhe vjen këtu vetëm për kontrolle”, shtoi spitali.

Për dy dekadat e fundit pacienti ka vuajtur nga një gjendje e njohur si ‘keqformimi i arteriovenozës’, e cila shkakton që indet të degjenerohen dhe të shtrembërohen, duke shkaktuar kështu një kolaps të fytyrës së njeriut.

Burri kishte fituar këtë gjendje pas vuajtjes nga një tumor, i cili ishte rritur në zonën e njëjtë, transmeton Lajmi.net. Spitalet e tjera kishin thënë se rreziqet ishin shumë të mëdha dhe nuk kishin pranuar që të kryejnë këtë operacion.

Ndryshe nga operacionet e tjera ku një pacient kishte veçoritë e fytyrës të zëvendësuara, ose të rindërtuara, kjo procedurë ishte më shumë invazive. Shumica e fytyrës së pacientit ishte rindërtuar, duke përfshirë qafën e tij, gojën, gjuhën dhe fytin.

Në prill të vitit 2010, ky spital kishte kryer me sukses transplantin e parë në botë të fytyrës për pacientin e njohur si Oskar. Spitali thotë se Oskari tani është duke jetuar një jetë normale.