Transparencë në prokurim publik

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Lëvizjen FOL. Marrëveshja ka të bëjë me monitorimin e procedurave të prokurimit publik, në mënyrë që të rritet transparenca në këtë proces.

Lajme

25/02/2014 15:52

Kryetari Shpend Ahmeti ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen FOL, me synimin që të rritet transparenca në procedurat e prokurimit publik.

Kryetari Ahmeti tha se prokurimi akoma mbetet një nga pikat më të dobëta, ku shumë lehtë mund të ndodhin keqpërdorimet.

“Marrëveshja ka të bëj me monitorimin e procedurave të prokurimit në Komunën e Prishtinës”.

“Ne e kemi thënë shumë herë, edhe gjatë fushatës, se njëra prej prioriteteve tona do të jetë transparenca dhe luftimi i korrupsionit, konfliktit të interesit dhe keqpërdorimeve të tjera që mund të ndodhin në sektorin publik”.

“Ajo që mbetet, si duket njëra prej pikave më të dobëta në sektorin publik në Kosovë, dhe një prej mundësive më të mëdha të keqpërdorimit të parasë publike mbetet procesi i prokurimit”.

“Po flasim për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e prokurimit si vëzhgues por që të jenë prezent që nga koha e ndërtimit të specifikacioneve për prokurim deri tek hapja e ofertave dhe pse jo edhe më vonë edhe tek mbikëqyrja e projekteve sepse këtu na ndodhin edhe problemet më të mëdha”.

Kryetari Ahmeti tha se me këtë marrëveshje Komuna e Prishtinës po kërkon ndihmë nga shoqëria civile. Ai tregoi se të njëjtën kërkesë do ja bëjnë edhe Agjencisë Anti-Korrupsion.

“Në këtë drejtim, ne, jo vetëm që të jemi të hapur dhe transparent, por edhe në një mënyrë të kërkojmë ndihmën e shoqërisë civile, pra le të jetë kjo, jo vetëm që po e hapin veten ndaj monitorimit, mbikëqyrjes së jashtme por le të jetë si kërkesë për ndihmë nga ana e Komunës për shoqërinë civile, që të na ndihmojë në monitorim të procedurave, dhe ky monitorim mos të jetë thjesht kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, e cila është e garantuar me ligj”.

“Kërkesën e njëjtë do ja bëjmë edhe agjencisë kundër korrupsionit që të na ndihmojë sa më shumë në parandalimin e konfliktit të interesit dhe keqpërdorimit të parasë publike”.

Ndërkaq, Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL e quajti këtë marrëveshje si marrja e “zotimit të dyanshëm”. Ai tha se transparenca në prokurimin publik është qenësore.

“Qëllimi i kësaj është marrja e zotimit të dyanshëm që procedurat e prokurimit publik brenda Komunës së Prishtinës të jenë të qasshme për publikun, fillimisht përmes nesh”.

“Qëllimi jonë që procedurat e prokurimit publik, duke ditur se 60 përqind afër 70 përqind e buxhetit publik shkon përmes procedurave të prokurimit publik”.

“Deri tash kemi parë një neglizhencë të madhe të institucioneve që të jenë transparente në këtë proces. Kemi parë që nëse kemi qasje në procedurat e prokurimit publik, në monitorim, transparenca e këtyre proceseve është qenësore”, tha petrit Zogaj.