Transformimi i FSK-së: Përpjekja e re, pengesa të vjetra

Plani i ri i Qeverisë për të transformuar forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri të rregullt do të ndeshet me të njëjtat probleme që e ndalën atë në të kaluarën, thonë ekspertët.

Lajme

15/07/2018 20:35

Mes diskutimeve të vazhdueshme rreth krijimit të një ushtrie të rregullt, qeveria e Kosovës ka nisur një shtytje të re për reformën e forcave të saj të sigurisë, e cila do të përfundojë deri në fund të vitit, thotë për BIRN, Rrustem Berisha, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK.

“Transformimi FSK do të bëhet përmes ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese. Misioni do të ndryshohet me ligj; emri do të ndryshohet me amendamentet kushtetuese”, tha  Berisha.

Në një intervistë për BIRN, Berisha tha se në dy muajt e ardhshëm autoritetet do të paraqesin një dokument që i përshkruajnë detajet e reformës te vendimmarrësit kryesorë ndërkombëtarë dh do ta përdorin  atë për të lobuar për mbështetje.

“Pas kësaj, në vjeshtë, ne do të analizojmë situatën dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë tjetër”, sqaroi Berisha, duke shtuar se gjithçka është duke u bërë vetëm që më në fund të bëhet.

Megjithatë, ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë paralajmërojnë se pa një marrëveshje të duhur politike mbi këtë çështje midis politikanëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës, ky transformim do të mbetet i bllokuar – siç ishte për katër vitet e fundit.

Zyrtarët e NATO-s dhe ekspertët  thonë se derisa  nuk shihet një marrëveshje e tillë, reforma e FSK-së ka gjasa të stagnojë.

Reformimi i vonuar nga politika

Që nga viti 2014, institucionet e Kosovës po përpiqen të gjejnë mënyra për ta transformuar formacionin gjysmë-ushtarak, FSK-në, në forcë të ushtarake.

Reforma pritet të rrisë numrin e personelit të forcave, të ndërtojë pajisjet e saj dhe të forcojë kompetencat e saj.

Pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, FSK-ja zëvendësoi Trupat Mbrojtëse të Kosovës, (TMK), një trupë e krijuar pas përfundimit të luftës së viteve 1998-99 dhe me shumicë dërmuese të ish- anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Misioni i FSK-së, i krijuar në përputhje me Pakon e Marti Ahtisaar-it (ish- të dërguarit të OKB-së) kufizohet në kryerjen e operacioneve të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë vendit dhe duke ndihmuar autoritetet civile në reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe   emergjenca të tjera.

Detyra të tilla përfshijnë operacionet e kërkimit dhe të shpëtimit, asgjësimin mjeteve eksplozive, kontrollin dhe  materialeve të rrezikshme dhe detyrave të tjera humanitare.

Një dekadë pas shpalljes së pavarësish së Kosovës tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta, megjithatë Serbia ende mbetet krejtësisht kundër çdo reforme që sugjeron krijimin e një ushtrie të rregullt të Kosovës.

Serbia dhe përfaqësuesit serbë në Kosovë, gjithashtu i kundërvihen vendosjes së njësive të FSK-së në  veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Reforma komplikohet më tej  për faktin se kjo mund të bëhet vetëm përmes amendamenteve kushtetuese që kërkojnë një “shumicë të dyfishtë” në parlament.

Kjo nënkupton mbështetjen e dy të tretave të 100 deputetëve shqiptarë të Kosovës dhe dy të tretat e 20 deputetëve të pakicave etnike .

Ndërsa serbët e Kosovës mbajnë 10 nga 20 vendet e rezervuara për pakicat, ata janë në mënyrë efektive faktor kyç në këtë proces.

Në pranverë të vitit 2017, Presidenti Hashim Thaçi u përpoq ta anashkalonte këtë bllokadë duke propozuar ndryshime që do të zgjeronin përgjegjësitë e FSK-s, por pa përfshirë miratimin e amendamenteve kushtetuese .

Megjithatë, aleatët perëndimorë të Kosovës, duke përfshirë NATO-n, kundërshtuan këtë veprim.

Përpjekja e re me të njëjtat problemet e vjetra

Në maj, kryeministri Ramush Haradinaj nisi një iniciativë të re, duke ftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe duke i informuar ata mbi planet e tij për të krijuar një forcë të armatosur, pa bërë kërkesa kushtetuese.

Shumica e ambasadave dërguan diplomatë të nivelit të ulët, gjë që u pa si shenjë e qartë e kundërshtimit, por Haradinaj tha se është i vendosur të vazhdojë më tej.

“Nuk mund të presim pafundësisht. Unë e kam bërë të qartë se ka ardhur koha për të vepruar,” tha Haradinaj, por ai u detyrua ta tërhiqte planin vetëm disa ditë më vonë.

Projektligji ende qëndron në zyrën e Haradinajt, pasi mungesa e konsensusit të brendshëm dhe mbështetjes së jashtme e bëri qeverinë e Kosovës hezitues për ta përcjellë atë në parlament.

Nën këtë projekt, FSK do të rriste forcën e vet, personelin ushtarak nga 2500  në 5,000 anëtarë të rregullt dhe  nga 800 në 3,000 trupa rezervë.

Ndërsa Kosovado të jkishte gjithashtu një Ministri të Mbrojtjes me një buxhet vjetor prej 18.7 milionë eurosh.

Bazuar në këtë draft-ligj  Kosova gjithashtu do t’i mundësonte Forcave të saj të Armatosura të kishte  arsenalin ushtarak, përfshirë armë të renda, aeroplanë, artileri, mortaja, sistemin kundërajror dhe artilerinë  e  anti-blinduese.

Pavarësisht kundërshtimeve, ministri Berisha mbetet i sigurt se ky transformim do të ndodhë këtë vit.

“Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet dhe mendoj se nuk kemi nevojë të bëjmë kompromis për  të,” i tha ai BIRN-it.

Sipas zyrtarëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve vendorë, megjithatë, iniciativa e re është e destinuar të përballet me të njëjtat pengesa të vjetra.

Zyrtarët e NATO-s theksojnë se pozicionet e tyre nuk kanë ndryshuar.

“Pozicioni i NATO-s është i qartë. Çdo transformim i FSK-së duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës . Ajo do të kërkojë ndryshime kushtetuese; dhe kjo do të bënte që Këshilli i Atlantikut të Veriut të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, ” tha për BIRN-in koloneli Vincenzo Grasso nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pozicioni i serbëve të Kosovës gjithashtu mbetet i njëjtë.

“Lista Srspka ka qëndrim shumë të qartë lidhur me atë që quhet themelimi i Ushtrisë së Kosovës. Ne nuk do të votojmë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës” tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtic, një figurë e lartë brenda Listës Serbe.

Naim Maloku, një ish-politikan kosovar dhe analist ushtarak, thotë se për qeverinë e Kosovës  do të jetë e vështirë  të shmangë procedurën pa trajtuar kushtet kushtetuese.

“Në vitin 2014, shansi për të krijuar një ushtri me anë të amendamenteve kushtetuese humbi dhe tani kostoja e kësaj është aq e lartë sa që mund të çojë në ndarjen e vendit”, tha Maloku për BIRN.

Ai po i referohej kohës kur komuniteti serb u përfaqësua në parlamentin e Kosovës nga Partia Liberale (SLS).

Analisti Maloku thotë se Serbia gjithashtu mund të përpiqet të shtyjë për një opsion të tretë, formimin e një njësie të veçantë, vetëm serbe brenda FSK-së, e cila do të vendoset në pjesët e dominuara nga serbët e Kosovës.

Por ai mendon se kjo qasje duhet të shmanget pasi mund të mbështesë një strategji serbe që synon ndarjen eventuale të Kosovës.

“Nëse do të ishte kështu, do të ishte më mirë që [FSK] të mbetet ashtu siç është tani. Më mirë të jesh pa ushtri sesa të hapësh rrugën për ndarje,” thotë Maloku për BIRN.

Ai shtoi se NATO-ja në çdo rast mund të mbetet e pranishme për të ruajtur  paqen në Kosovë për të paktën 20 vjet të tjera.

Ushtria do të hapte diskutime rreth rolit të NATO-s: Nëse parlamenti i Kosovës do ta miratojë transformimin e FSK-së në ushtri, kjo  do të hapte diskutimet rreth rolit të ardhshëm të NATO-s në Kosovë.

Misioni i KFOR-it, i vendosur në Kosovë që nga viti 1999, numëron 4300 trupa paqeruajtëse që gjithashtu mbështesin FSK-në.

Aktualisht, shumë njerëz në Kosovë duan të dinë se kur ata nuk do të duhet më të vareshin nga prezenca e NATO-s në Kosovë në formën e KFOR-it.

Ministri i Forcës së Sigurisë, Berisha, megjithatë, këmbëngul që KFOR-i do të vazhdojë të kryejë detyrat e veta në Kosovë  pavarësisht nëse ka apo jo reforma ushtarake.

“Transformimi i FSK-së nuk nënkupton marrjen menjëherë të detyrave të KFOR-it. Ne parashikojmë një plan transformimi brenda 10 vitesh”, tha ai.

Todd Jacobus, një oficer ushtarak amerikan  në pension dhe ish-zëvendës kryesues i Ekipit Këshillues të NATO-s në Kosovë, thotë se NATO duhet gjithashtu të angazhohet më shumë në lehtësimin e procesit të transformimit.

“Nëse procesi bëhet në mënyrë demokratike, NATO nuk do të ketë ndonjë problem me vendimin”, tha ai për BIRN.

Disa ekspertë thonë se një nga problemet kryesore të Serbisë me planin e reformës është përdorimi i fjalës “ushtri”, e cila sugjeron një nivel më të lartë të shtetësisë dhe pavarësisë sesa ajo që Serbia është gati ta pranojë.

Por Björn Nilsö, një oficer i ushtrisë suedeze, i cili ka shërbyer në Kosovë si anëtar i Këshillimit dhe anëtarësimit të NATO-s , thotë se Serbia dhe serbët e Kosovës nuk po e bllokojnë këtë transformim vetëm për shkak të fjalës “ushtri”.

“Ka të bëjë me dhënien dhe marrjen. Në këtë rast, duke dhënë miratimin e tyre, haptas ose në heshtje. Çfarë i është ofruar komunitetit serb  Për shembull, Asociacioni i Komunave Serbe ende nuk është formuar”, tha Nilsö për BIRN.

Kompromisi për të thyer bllokadën duket i pamundur

Por që kjo të ndodhë autoritetet në Kosovë dhe serbët duhet të gjejnë një zgjidhje të favorshme për të gjitha palët.

“Dhënia apo aprovimi mund të shihet si një shenjë e dobësisë politike, por të dyja palët duhet të bëjnë kompromis. Duhet të gjendet një mënyrë që funksionon për një zgjidhjeje që është e pranueshme për të dyja palët “, tha Jacobus.

Ministri Berisha, megjithatë  kundërshton çdo mundësi për kompromise të reja  të palës kosovare.

“Kosova ka një të drejtë të pakontestueshme për të pasur ushtrinë e vet”, argumenton ai.

Markku Laamanen, një diplomat finlandez me përvojë të gjatë në Kosovë, duke përfshirë zëvendës shefin e misionit të OSBE-së, frikësohet se saga e transformimit të FSK-së mund të vazhdojë për një kohë të gjatë . veçanërisht nëse pozicionet politike nuk ndryshojnë.

Ai dyshon se Kosova mund të gjejë një zgjidhje për sa kohë që Lista Srpska e mbështetur nga Beogradi mban shumicën e vendeve serbe në parlament.

“E ashtuquajtura ‘mënyrë kushtetuese’ është jashtë diskutimit dhe mund të presim edhe pesë vjet pa rezultate”, tha Laamanen për BIRN.

Ndërkohë, Maloku thotë se FSK-ja nuk është  krejt gati të transformohet në një ushtri, edhe  nëse politikisht do të ishte e mundur të fillonte ky proces.

“Do të duhej të paktën 20 vjet për të arritur standardet e ushtrisë anëtare të NATO-s”, tha ai.