Trajneri i Kosovës kërkon fitore ndaj Ishujve Faroe, paralajmëron ndryshime në formacion

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është paraqitur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Ishujt Faroe.

Sport

09/09/2018 19:33

Challandes në konferencën e mbajtur në ‘Fadil Vokrri’ ka paralajmëruar ndryshime të formacion për ndeshjen me Ishujt Faroe, që zhvillohet nesër (e hënë) nga ora 20:45.

“Nesër do të ketë ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj Azerbajxhanit. Besar Halimi është i gatshëm për të luajtur, ama s’e konfirmoi formacionin një ditë më parë”, tha Challandes.

Zvicerani tutje ka thënë se Kosova është ekipi më i mirë në grup dhe se duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet.

“Jemi ekipi më i mirë në këtë grup, dhe duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet .Si trajner, nuk i them ekipit tim “nesër, vetëm një fitore. Synimi është të fitojmë, vetëm të fitojmë”, shtoi selektori i Përfaqësueses së Kosovës.

Ai po ashtu konfirmoi se nga kampi i Kosovës është larguar mbrojtësi Kastriot Dermaku, për arsye personale.

Kosova tashmë ka zhvilluar një ndeshje në Ligën e Kombeve, duke barazuar 0-0 në udhëtim te Azerbajxhani./Lajmi.net/