Trajneri i Dritës tregon pse u eliminua skuadra e tij nga kualifikimet e Ligës së Evropës

Drita është eliminuar edhe nga Liga e Evropës.

Sport

03/08/2018 14:41

Skuadra kampione e Kosovës, nuk ka arritur të mposht skuadrën nga Luksemburgu, Dudelange në ndeshjen e kthimit në Mitrovicë, duke barazuar 1:1.

Ndeshja e parë i kishte takuar skuadrës nga Luksemburgu, me rezultat 2:1.

Trajneri i Dritës, Bekim Isufi, ka thënë pas ndeshjes e skuadra e tij luajti shumë mirë.

“Një pakujdesi dhe një shpërqendrim na bëri që të dështojmë. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, kurse në pjesën e dytë u ndëshkuam në fillim dhe goli na prishi planet. Krijuam disa raste, por jo konkrete. Ndoshta është dashur që këta djemë të përkrahen më shumë. Ndoshta edhe lodhja ndikoi në minutat e fundit. Megjithatë, jam i kënaqur me paraqiten e lojtarëve që janë paraqitur në gjashtë ndeshje në garat evropiane. Ne e kemi arritur maksimumin”, deklaroi Isufi pas ndeshjes për Super Sport Kosovën.

Në këtë mënyrë, Drita e humbi rastin që të takohet me Legian e Varshavës në turin e tretë.