Tragjike në Vlorë! Vdesin në shtëpi nënë e bir

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen një e moshuar dhe djali i saj.

Lajme

21/01/2018 08:54

Ngjarja ndodhi rreth orës 4.20 të mëngjesit në lagjen “1 Maji”, ku në nja banesë ra zjarr, duke u shkrumbuar totalisht. Për pasojë humbën jetën 73-vjeçarja Selkie Hoxhallari dhe djali i saj 43-vjeçar Novruz Hoxhallari.

Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor dyshohet se zjarri në banesë mund të jetë shkaktuar aksidentalisht,  ku për pasojë janë djegur e kanë ndërruar jetë nënë e bir.

Trupat e pajetë janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë.

Policia e Vlorës thotë përmes një njoftimi zyrtar se “grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Banesa e tyre është në afërsi të Pyllit të Sodës, ndërsa me mbërritjen e forcave zjarrfikëse, gjithçka ishte shkrumbuar, dhe nënë e birë janë gjetur të pajetë brenda në banesë. Mësohet se e moshuara dhe djali i saj ishin me origjinë nga Korça.

/Gazeta Express