Trafiku urban, as rregull as GPS!

Shpend Ahmeti e ka filluar vitin e dytë të mandatit të tij si kryetar i Prishtinës, por trafiku urban pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë, me gjithë premtimet e mëdha që ai kishte bërë gjatë fushatës për të parin e kryeqytetit.

Lajme

13/04/2015 10:24

Autobusët që qarkullojnë nëpër kryeqytet janë të njëjtit, të vjetruar e të papastër, ndërsa taksitë ilegalë, me ca vetura të shkatërruara, vetëm sa janë shtuar që prej ardhjes së tij në pushtet.

“Taksitë” vijnë të koordinuar, dy-tre, përpara autobusëve, dhe mbledhin udhëtarët nëpër stacione. Nuk i “ngacmon” askush, as policia e trafikut dhe as inspektorët komunalë, dhe ashtu pa leje pune, vazhdojnë t’i lënë autobusët të zbraztë, sidomos ata që mbajnë linjën Prishtinë-Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ahmeti, gjatë fushatës për kryetar të Prishtinës, kishte premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të bëjë tri lloje të linjave: linja e parë, ajo kryesorja, që është qendra e qytetit apo unaza; linja e dytë, apo niveli i dytë që i bie të lidhet me unazën qendrore; dhe linja e tretë – do të lidh lokacionet e ndryshme dhe ofron shërbime në ato lagje.

Madje, kryetari aktual i Prishtinës, kishte premtuar instalimin e sistemit përcjellës, GPS, në linjat kryesore,  në mënyrë që qytetaret të dinë saktësisht se sa larg është autobusi i radhës nga stacioni në të cilin presin.

Autobusët, të rinj, kushtojnë shtrenjtë, edhe instalimi i sistemit GPS do pakëz punë, mirëpo qytetarët kanë shpresuar në vendosjen e njëfarë rregulli në trafikun urban të kryeqytetit, i cili ka vetëm 208 mijë banorë. /lajmi.net/

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndonjëherë udhëton edhe me autobus
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndonjëherë udhëton edhe me autobus