Trafikimi, një luftë e re për refugjatët

Kalimin e refugjatëve afro-aziatikë nga Turqia për në Ballkan, por vështirësojnë grupet e trafikantëve, të cilët po mundohen të fitojnë gjithnjë e më shumë nga drama e migrimit.

Bota

03/09/2015 12:18

Refugjatët nga Lindja e Mesme (Siria, Iraku, Afganistani…) po përjetojnë një luftë tjetër edhe më të vështirë, gjatë odisejadës për të arritur në tokën e premtuar Gjermani, Francë, Holandë e Austri. Kalimin e tyre nga Turqia për në Ballkan, por vështirësojnë grupet e trafikantëve, të cilët po mundohen të fitojnë gjithnjë e më shumë nga drama e migrimit.

Nga Greqia deri në Hungari, migrantët po ballafaqohen me grupe trafikantësh, por edhe përfitues të rastit, të cilët po e shfrytëzojnë momentin, duke u shitur çmimet elementare refugjatëve, me çmime enorm të shtrenjta si në kohë lufte. Madje në Maqedoni disa prej tyre u priten edhe me plumba gome dhe kërbaçë.

Burime të Albinfo.ch nga Maqedonia dhe Serbia, thonë se refugjatëve një bukë dhe një sallamë zogu 500 gramëshe, u është shitur për 12 euro, që në tregun e rëndomtë kushtojnë 2 euro.  Ndërsa sim-kartelat me 2 euro mbushje u shiten nga 10 deri 20 euro, varësisht nga kërkesat.

Në fshatin Miratoc afër Preshevës, refugjatëve iu është ofruar ndihma e shtetit në ushqim dhe mjekim, por edhe qytetarët u është ofruar ndihmë. Njëri nga banorët ka nxjerr një çezme në rrugë, me qëllim që refugjatët të freskohen me ujë të ftohtë,e  disa nga ta edhe të marrin abdes.

Shumë nga imigrantët flejë në rrugë, disa nëpër tenda të improvizuara e disa të tjerë, në stacion të autobusëve ose në atë të trenit. E kjo jetë e mundimshme prej “nomadëve”, i detyrojnë ata t’u ofrohet trafikantëve. Shumica prej tyre janë taksistët që janë të lidhur me grupet kriminale, të cilat u marrin me mijëra euro nga Maqedonia për t’i dërguar, kinse në Budapest.

Parat ua marrin, dhe i lënë në mesin e rrugë. Kështu ka ndodhur me familjen e Ahmed Muhamed nga Siria, i cili kishte paguar më shumë se 1000 euro nga Beogradi, për t’i dërguar deri në Hungari. Ai i kishte dërguar deri në Kanjizha, qyteti më i afërt në kufirin serbo-hungarez dhe kishte ikur.

Se trafikantët e presin një tragjedi të tillë, është rasti i fundit me valën e refugjatëve kosovarë, disa muaj më parë.

Siç ka raportuar gazeta “Zëri”, në zallamahinë e kosovarëve drejt BE-së, besohet se e kanë organizuar rreth 200 trafikantë, të cilët kanë qenë të vendosur kryesisht në Paliq të Suboticës. Në mesin e trafikantëve ka pasur shtetas të Kosovës, të Serbisë, por edhe të Maqedonisë, të cilët për një periudhë disamujore kanë arritur t’i çojnë ilegalisht në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian rreth 80 mijë kosovarë.

Sipas këtyre burimeve, trafikantët vlerësohet se i kanë përfituar rreth 20 milionë euro brenda një periudhe të shkurtët kohore, përkatësisht përreth 7 muaj, nga shatori 2014 deri në fund të marsit 2015.

“Ka qenë biznes i hatashëm. Shumë para janë fituar gjatë valës së madhe të emigrimit të kosovarëve”, deklaron një kosovarë në kushte anonimiteti. Derisa e kujton atë periudhë, kur, siç thotë ai, “merrnin para me grusht”, ky kosovarë i thënë gazetës, se trafikimi sjell përfitime gjigande.

Derisa, rruga nga Kosova deri në Hungari nuk ishte më e gjatë se 700 kilometra dhe solli rreth 20 milionë euro përfitime, ajo nga Siria, mendohet e kushton trefish më shtrenjtë. Burime ndërkombëtare thonë se vetëm në Athinë të Greqisë, janë rreth 200 trafikantë që merren me depërtimin e afroaziatikëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Situatë e njëjtë është edhe në Sofje, por edhe në qendrat tjera në Shkup, Beograd, Suboticë. Forcimi i rrjetit të trafikimit ka ardhur pasi që rruga e Mesdheut për emigrantët sirianë është bërë tepër e rrezikshme, prandaj destinacioni është kthyer kah Ballkani.

Hassan Ammar, ka treguar se emigrantët nga Siria gjatë rrugëtimit të tyre nëpër Turqi, e pastaj në Greqi, Maqedoni dhe Serbi shpenzojnë afërsisht 5000 euro. “Dhe këto para duhet kthyer. Na duhet shumë punë për të siguruar kaq rezerva. Në kampe të Hungarisë nuk do të mund të bëjmë asgjë”, thotë ai për gazetën Zëri.

Ai tregon se si shumicën e rrugëve në Ballkan e bëjnë me tren ose edhe autobus. Ndërsa nëse tentojnë ta marrin një taksi, ata duhet të kenë 400 euro për të shkuar nga Presheva deri në Beograd.

Në këtë katrahurë të emigrimit, shumë nga refugjatët nuk po arrin ta realizojnë “ëndrrën”. Vetëm katër ditë më parë, dhjetëra emigrantë e gjetën vdekjen në Austri, pasi që kishin mbetur pa oksigjen në një kamion ftohës, i cili dyshohet të jetë nisur nga Bullgaria në drejtim të Gjermanisë.

Derisa për çdo ditë dëgjohet ndonjë tragjedi me emigrantët nga Lindja e Mesme, drama e ikjes po vazhdon në kontinuitet. Vetëm gjatë natës së kaluar dhe gjatë ditës së sotme, në Preshevë kanë arritur më shumë se 2000 njerëz nga Siria, Iraku, Afganistani dhe shtetet tjera.