Tradita e kosovare e ndryshimit të votave gjatë raundeve të votimit

Të gjithë e dinë që Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dy rivalet më të mëdhenj në çdo garë elektorale dhe pavarësisht faktit që kanë pasur tre here koalicione të përbashkëta, dihet që “martesa” e tyre është me shkuesi e jo me dashuri.

Lajme

27/02/2016 23:16

Një mënyrë se si duan t’i tregojnë njëri – tjetrit këtë fakt në parlament është nëpërmjet votës së fshehtë, ku kandidatit të partisë rivale për ta nënçmuar kandidatin e partisë rivale nuk ia japin votën e fshehtë menjëherë që në raundin e parë por vetëm në raundin e fundit dhe final.

Kjo gjë u bë e qartë në seancën për zgjedhjen e Presidentit Thaçi dje ku deputetët e LDK-së nuk ia dhanë “blanko” votën por donin edhe të jepnin njëherazi një sinjal rivaliteti.

Në raundin e parë kanë marrë pjesë 81 deputetë, për Hashim Thaçin kanë votuar 50 veta, 27 vota janë shpallur të pavlefshme, kurse katër vota ka marrë kandidati tjetër, Rafet Rama.

Në raundin e dytë mori 64 vota ndërsa në të tretin dhe finalin mori 71 vota ndërkohë që nevojiteshin vetëm 60.

Pas zgjedhjeve parlamentare të fundit të vitit 2007 kur u krijua koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së dhe pjesë e marrëveshjes ishte marrja e postit të kryeministrit nga PDK si dhe ai i kryetarit të Kuvendit, ndërsa Presidenca i takoi LDK-së.

Kur u votua kandidatura e Thaçit si kryeministri i vendit vota “Për”  u dha nga 85 deputetë, “kundër” 22, kurse abstenuan vetëm 4.

Në atë kohë baza ligjore nuk ishte shumë e qartë, rreth asaj se Fatmir Sejdiu a duhet ta vazhdonte mandatin e lënë në gjysmë nga Ibrahim Rugova apo do ta fillonte një mandat të plotë.

Prandaj në seancën e mbajtur më 9 janar 2008, fillimisht Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i kryetarit të vendit, për t’u kandiduar përsëri për mandat të ri të plotë.

Kundër kandidat i Fatmir Sejdiut ishte deputeti i AAK-së, Naim Maloku, subjekti i të cilit kishte siguruar 25 nënshkrimet e nevojshme për të paraqitur kandidatin e tyre.

Në raundin e parë morën pjesë 115 deputetë. Për Fatmir Sejdiun votuan 62 deputetë, për Naim Malokun 37, të pavlefshme ishin 16 fletëvotime.

Pra pavarësisht se koalicioni kishte 85 deputetë një pjesë e deputetëve të PDK thjesht e nxorën të pavlefshme votën.

Në të dytin votuan pro Sejdiut 61 deputetë, për Naim Malokun 37, të pavlefshme ishin 17 fletëvotime. Ndërsa, në raundin e tretë morën pjesë 118 deputetë.

Për Fatmir Sejdiun votuar 68 deputetë, për Naim Malokun, 39 deputetë, të pavlefshme kanë qenë 11 fletëvotime pra një pjesë e votuesve të PDK-së në fund e dhanë votën./ Lajmi.net