“Tradita” e dhënies së mijëra eurove për shërimet jashtë vendit!

Edhe pse qeveritë e Kosovës që nga paslufta janë zotuar shpesh se shëndetësia është sektori ku ka nevojë për më së shumti investime, ekzekutivi ndër vite më shumë ka investuar në shërimin e njerëzve jashtë vendit.

Lajme

26/06/2018 18:58

Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, e tash edhe kjo nga Haradinaj po japin mijëra euro për shërimin e zyrtarëve jashtë shtetit.

Së fundi në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos që Bujar Bukoshi të ndihmohet me 30 mijë euro.

Me shumë të njëjtë Bukoshi ishte ndihmuar edhe në dhjetorin e vitit të kaluar, pikërisht nga qeveria Haradinaj.

Bukoshi madje kishte përfituar edhe dy herë tjera nga 30 mijë euro të cilat i ishin dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Por dhënia e parave për shërimet jashtë vendit tashmë janë bërë traditë në qeveritë e Kosovës.

Isa Mustafa ishte shef i ekzekutivit kur ishin ndarë mbi 34 mijë euro për shërimin e ish-deputetit të LDK-së, Bardhyl Meta, shkruan lajmi.net.

Edhe Meta kishte marrë edhe ndihma tjera nga Ministria e Shëndetësisë, por të cilat nuk kishin mjaftuar.

Ish-kryeministri Mustafa në muajin shkurt të vitit 2016 kishte dhënë para edhe për gruan e dëshmorit Mensur Zyberaj.

Shpresa Zyberajt i ishin ndarë mbi 9 mijë euro për shërimin e gruas së dëshmorit që ka rënë në njërën nga betetjat e Rahovecit.

E një shumë dukshëm më e madhe ishte dhënë për mbulimin e shpenzimeve të shërimit të Etnik Balajt.

Balaj ishte ndihmuar me rreth 107 mijë euro për shërimin në Turqi.

Por në mbledhjen e majit, Haradinaj kishte reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke thënë se rastet e tilla nuk duhet të përsëriten.

“I urojmë shërim Etnikut. Por kjo praktikë nuk guxon me u përdor ne vazhdimësi. Do te bëjmë përpjekje te krijojmë një sistem si tu qasemi rasteve në fjalë”, kishte thënë Haradinaj.

Sipas statistikave që disa herë kanë qarkulluar nëpër media, rreth 2 mijë persona brenda vitit kërkojnë shërim jashtë vendit. /Lajmi.net/