Topi te bora

Alternativë e vetme për Prishtinën mbetet Lëvizja Vetëvendosje. Kështu u shprehën drejtues të saj duke kërkuar ndërrimin e mënyrës së qeverisjes së Kosovës. “Një pushtet që e befason bora në dimër, tregon mirë se çfarë pushteti është”, tha Shpend Ahmeti.

Lajme

27/10/2013 18:36

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, gjatë një vizite në lagjen Mati 1, ka thënë se ky pushtet duhet ndërruar sa më shpejtë së bashku me qeverisjen si në Kosovë ashtu edhe në Prishtinë.

Sipas Ahmetit, ata që janë në pushtet premtime po bëjnë vetëm gjatë 30 ditëve të fushatës dhe pastaj po i harrojnë qytetarët. Ai ka thënë se Prishtina është zhytur në kaos dhe qeveritarët po menaxhojnë me të sikur me shtëpinë e tyre, sepse qytetin e kanë bërë sikur shtëpi të veten.

“Një pushtet të cilin e befason bora e dimrit, tregon për planifikimin që e bëjnë këta. Që gjashtë vite me radhë këta i befason bora dhe nga një javë nuk i pastrojnë rrugët sepse thonë se nuk e kanë ditur se do të bie borë. Bora bie dimrit”.

Deputeti Visar Ymeri ka kritikuar LDK’në për mbështetjen e vazhdueshme që po i bën qeverisë qendrore dhe Kryeministrit Thaçi, si dhe ka kërkuar që qeverisja t’i kalohet qytetarit – e jo qeveritarit.

Sipas Ymerit, sa herë që kanë kërkuar qytetarët e Prishtinës diçka, atëherë u është thënë se nuk po i lejon pushteti qendror me mosmiratimin e Ligjit për Prishtinën.

“Është koha, dhe ka qenë koha edhe më herët, që t’i ndërrojmë këta njerëz nga pushteti dhe ta ndërrojmë mënyrën e qeverisjes që ka vepruar deri me tani. Jo vetëm që t’i heqim këta njerëz nga udhëheqja e Prishtinës, por edhe ta ndryshojmë rrënjësisht mënyrën e punës në Komunën e Prishtinës dhe mënyrën se si qeveriset Kosova.

“Qeverisjen e Prishtinës duhet ta vejmë në duart e qytetarëve, sepse komuna dhe qeverisja i takon qytetarit dhe asnjëherë qeveritarit”.