Topalli: Nuk është detyrë e Kosovës të marrë anshmëri në çështjet e brendshme të Turqisë

Deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, Faton Topalli, e ka quajtur të dhimbshme mënyrën e arrestimit të gjashtë shtetasve turq javën e kaluar, dhe tha se Kosova nuk duhet të marrë anë në çështjet e brendshme politike të Turqisë.

Lajme

04/04/2018 18:38

“Lidhur me largimin e gjashtë qytetarëve turq, ka qenë e domosdoshme që të thirret një seancë e tillë, ku do të diskutohej kjo çështje”, tha Topalli në Info Magazine të Klan Kosovës, pas seancës së sotme për arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq.

“Mendoj që është shumë e dhimbshme që gjashtë qytetarë turq janë larguar në këtë mënyrë nga Kosova për shkak se kanë ekzistuar të gjitha mundësitë që ata të mos largohen me procedura të shpejta”.

“Kosova u soll në një situatë bukur të pakëndshme duke u kërkuar nga ajo që t’i dorëzojë në një shtet tonin mik si Turqia, persona që janë të ndjekur politikisht”.

“Vet fakti që është angazhuar Turqia, tregon që çështja është politike”.

Sipas Topallit, presidenti Hashim Thaçi është një prej përgjegjësve kryesorë, bazuar edhe në deklaratat e tij pas arrestimit të shtetasve turq.

Megjithatë, ai tha se pavarësisht respektit të madh për Turqinë, nuk është detyrë e Kosovës që të marrë anë në punët e brendshme të këtij shteti.

“Më, e rënda është që ne duke qenë një vend i cili ka respekt të madh për Republikën e Turqisë, kanë treguar që deputetët dhe qytetarët e Kosovës janë të interesuar që të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë, por nuk është detyrë e jona që të marrim anshmëri politike për çështje të brendshme të Turqisë”.