Tomovic: Do t’i shtrëngoj dorën Canës

Mbrojtësi i Fiorentinës, Nenad Tomovic ka thënë se do t’ia shtrëngojë dorën Lorik Canës në duelin kundër Lazios, të dielën në kuadër të Serie A.

Sport

16/10/2014 21:48

Mbrojtësi i Fiorentinës, Nenad Tomovic do të takohet të dielën me Lorik Canën, në ndeshjen kundër Lazios në Serie A.

Dhe, ai ka thënë se do t’i shtrëngojë dorën kapitenit të Shqipërisë, pavarësisht përleshjes që ndodhi të martën mbrëma në Beograd, në duelin e ndërprerë mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Të dielën për ndeshjen Fiorentina-Lazio, do të takoj shqiptarin Lorik Cana. Do t’i shtrëngoj dorën siç bëra nga ana tjetër edhe të martën e shkuar në Beograd para ndeshjes mes dy kombëtareve tona”, deklaroi Tomovic.

“Për mua, ajo që ndodhi atë mbrëmje, i takon së shkuarës dhe mezi po pres të kthehem të luaj”, shtoi ai.

Tomoviç ka dashur të theksojë se ka pasur gjithnjë “marrëdhënie të shkëlqyera” mes të gjithë lojtarëve sllavë dhe shqiptarë. “Për fat të keq, ishte një mbrëmje e keqe, të gjithë ne donim të luanim futboll”.