Tokio: Vitin e kaluar në rrugë janë gjetur mbi 35 milionë dollarë

Shuma e parave të gjetura në rrugët e Tokios në Japoni dhe të dorëzuara në polici ka kaluar shifrën prej 35 milionë dollarësh.

Fun

09/03/2018 17:40

Sipas lajmit të publikuar nga Kyodo, policia e Tokios ka njoftuar së në vitin e kaluar, banorët e qytetit kanë gjetur afro 3,75 miliardë jenë (35,3 milionë dollarë) të cilat i kanë dorëzuar në polici, transmeton Anadolu Agency (AA)

Sipas njoftimit të policisë, 25 milionë dollarë nga kjo shumë iu është rikthyer pronarëve, ndërkaq 4,77 milionë dollarë iu janë dhënë atyre që i kanë sjellë paratë. Nga ana tjetër, afro 4,5 milionë dollarë kanë hyrë në kasafortën e Menaxhmentit të Qytetit të Tokios.

Atyre të cilët rrugëve të Tokios kanë gjetur para dhe i kanë dorëzuar në polici u takon 20 për qind e shumës si shpërblim nga pronari. Nëse brenda 3 muajve nga dorëzimi i parave, nuk paraqitet pronari, atëherë paratë i takojnë personit që i ka gjetur ato.

Nëse nuk paraqitet as pronari e as personi që ka gjetur nuk dëshiron t’i marrë paratë e gjetura, atëherë këto para përfshihen në të ardhurat publike lokale.