“Toka” para gjyqit

Filloi sot procesi gjyqësor ndaj 10 të dyshuarve për keqpërdorime në rastin e bartjes së pronësisë së tokës në Prishtinë. Të dyshuarit janë gjykatës dhe punëtorë administrative të gjykatave në Prishtinë.

Lajme

21/01/2014 14:23

Ka filluar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, procesi gjyqësor në rastin  “Toka”, ndaj 10 të pandehurve për kryerje të pretenduar të veprave që i ngarkojnë ata me nxjerrjen e vendimeve të paligjshme ose me dhënien e ndihmës për nxjerrjen e këtyre vendimeve ligjore të paligjshme.

Rasti, i cili është duke ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka të bëjë me tokën në pronësi shoqërore e cila ju është bartur pronarëve privatë me mashtrim, duke i përfshirë tetë gjyqtarë vendas dhe dy përfaqësues ligjorë, thuhet në njoftimin e EULEX’it.

Prokuroria pohon se gjatë periudhës ndërmjet vitit 2006-2007, Olga Janicijevic, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli dhe Tihomir Mikaric, në pozitën e tyre si gjyqtarë në Gjykatën Komunale të Prishtinës, dhe Rrahman Retkoceri, Ekrem Agushi dhe Ferid Bislimi në pozitën e tyre si gjyqtarë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë (si gjyqtarë të shkallës së dytë), me qëllim që të sigurojnë përfitim material të paligjshëm për vete, nxorën vendime të paligjshme në 15 raste të tokës në lidhje me Ndërmarrjet Shoqërore (NSH) në Kosovë, duke e kryer kështu veprën penale të Nxjerrjes së Vendimit të Paligjshëm Gjyqësor.

Prokuroria i ka akuzuar tre të pandehur për veprën penale të Dhënies Ndihmë në Nxjerrjen e Vendimit të Paligjshëm Gjyqësor, sepse gjatë periudhës nga viti 2006 deri më 2007, i pandehuri Nuhi Uka, në cilësinë e tij si Kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Hasnije Balidemaj, si përfaqësuese ligjore e NSH-së, dhe Gazmend Gashi, si përfaqësues ligjor i paditësve, kanë ndihmuar në kryerjen e veprave penale duke e lehtësuar kryerjen e krimit, thuhet në njoftimin e EULEX’it.