Tmerr në Keni, shkon në 147 numri i studentëve të masakruar nga Al Shabab

Të paktën 147 njerëz, shumica dërmuese e tyre studentë janë vrarë nga militantë të armatosur të grupit islamik Al Shabab, të cilët një ditë më parë u futen në një universitet në qytetin Garissa, në verilindje të Kenisë.

Bota

03/04/2015 10:54

Të enjten u raportua për 15 studentë të vrarë dhe shumë prej tyre të marrë peng, por të premten, BBC dhe agjenci tjera ndërkombëtare kanë bërë të ditur se militantët islamikë të Al Shabab, të cilët e kanë selinë në Somali, kanë ekzekutuar 147 veta, shumica studentë të cilët në kohën e sulmit ishin duke u përgatitur për t’iu nënshtruar provimeve.

YouTube player

Sulmuesit e armatosur rëndë sulmuan Universitetin Garissa herët të enjten, duke vrarë tek porta dy rojet e sigurisë, pastaj qiten pa dallim mbi studentët, por më pas nisen të bëjnë ndarjen ashtu sikurse në sulmet që kanë kryer në të kaluarën, liruan pengjet myslimane dhe vranë të krishterët.

Katër militantë të armatosur u rrethuan nga forcat policore, të cilat arritën në vendngjarje, por nuk munden të parandalojnë sulmin më vdekjeprurës të kryer nga organizata, e cila Somalia, nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera, cilësohet si terroriste.

Katër nga sulmuesit e rrethuar kryen sulm vetëvrasës, i pesi u kap i gjallë
Katër nga sulmuesit e rrethuar kryen sulm vetëvrasës, i pesi u kap i gjallë

Të rrethuar brenda një konvikti, sulmuesit refuzuan të dorëzohen dhe aktivizuan eksplozivin që kishin të ngjitur në trupin e tyre duke vrarë edhe shumë nga studentët të cilët në atë moment po i mbanin si pengje. Ndërkohë që personi i pesat i armatosur, thuhet se është arrestuar.

Më shumë se 500 studentë arritën të shpëtojnë, 79 prej të cilëve janë plagosur, disa në gjendje të rëndë. Nëntë studentë të plagosur rëndë u dërguan në kryeqytetin Nairobi për trajtim, ndërkohë që qeveria ka bërë të ditur se Mohamed Kuno, një zyrtar i lartë i Al Shabab, ishte organizatori i sulmit. Kuno, deri në vitin 2007, ishte drejtor i një shkolle fetare në Garissa.

Mbi 500 studentë arritën të shpetojnë, 79 prej tyre të plagosur
Mbi 500 studentë arritën të shpetojnë, 79 prej tyre të plagosur

Al Shabab, e cila lufton për të vendosur Sheriatin në Somali, ka filluar sulmet në Kenia qëkur ky shtet, para dy vjetësh, vendosi të dërgojë forcat ushtarake për të ndihmuar Somalinë në luftë kundër militantëve islamikë.

Presidenti kenian, Uhuru Kenyatta, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka urdhëruar “hapa urgjente” për të rekrutuar forca të reja policore dhe të sigurisë në luftë  kundër terroristëve.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon, e dënoi aktin barbar në Universitetin e Garissas, duke e quajtur një “sulm terrorist” dhe u shpreh se OKB-ja është e gatshme për të ndihmuar në Kenia në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Po ashtu, të gatshme për të vazhduar ndihmën kundër grupit terrorist Al Shabab, janë deklaruar edhe autoritet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë përveç Washingtonit zyrtar, shumë qendra tjera të botës demokratike, e kanë dënuar këtë sulm terrorist e të tmerrshëm të kryer nga militantë islamikë në Keni. /lajmi.net/

Mohamed Kuno, një zyrtar i lartë i Al Shabab, ishte organizatori i sulmit
Mohamed Kuno, një zyrtar i lartë i Al Shabab, ishte organizatori i sulmit