Tkurret shoqëria civile, Ardian Arifaj i bashkohet ekipit të kryeministrit Thaçi

Kreu i Ekzekutivit, Hashim Thaçi konfirmon se Arifaj i është bashkuar grupit të ekspertëve në Qeverinë e tij. Ndërsa, Aridan Arifaj tha për lajmi.net se kushdo që do të punojë për Kosovën nuk mund t’i thotë jo kësaj oferte.

Lajme

20/04/2014 14:26

Analisti dhe gazetari, Ardian Arifaj i është bashkuar sot ekipit të kryeministrit Hashim Thaçi.

Përmes rrjetit social Facebook, Thaçi ka konfirmuar se Arifaj do të jetë pjesë e grupit të ekspertëve në Qeverinë e tij.

“Sot kam pritur Ardian Arifajn, një nga aktivistët më të shquar të shoqërisë civile dhe të mediave kosovare, gazetar themeltar të Kohës Ditore dhe shumë iniciativave qytetare”.

“Z. Arifaj nga sot i është bashkangjitur ekipit tim si një nga zërat eminentë të shoqërisë kosovare. Gëzohem që finalizuam një prurje të re në qeverinë e tashme dhe të ardhshme të Kosovës, një ekspert i cili tash e shumë vite ka dhënë kontribut në media, në OJQ, por ka punuar edhe në mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë gjatë dekadës së fundit”.

Ardiani më tha se me kënaqësi e pranon këtë sfidë të re që të jetë pjesë e ekipit që do të ndërmarrë misionin e ri politik të Kosovës të orientuar drejt zhvillimit të hovshëm ekonomik e shoqëror”.

Në anën tjetër, Ardian Arifaj ka thënë se ofertave si këto nuk mund t’i thuhet jo.

“Ftesa nuk ka qenë as me shku në partinë e PDK-së as për t’u futur në fushatë, por thjesht ka qenë oferta që a kishe pranuar me hy në Qeveri për të punuar për Kosovën”.

“Dhe kësi oferte normalisht, kushdo të punojë për Kosovën, nuk mund t’i thotë jo”, ka thënë Arifaj për lajmi.net.