Tjetër vendim për çokollatat “Mars” dhe “Snickers”. A do të hiqen nga tregu?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas inspektimit në terren urdhëroi që markat e çokollatave “Snickers”, “Mars” dhe “Milky Way”, të mos hiqen nga tregu shqiptar. Vendimi vjen pasi çokollatat që shiten në Shqipëri prodhohen në Poloni dhe nuk kanë lidhje me ato të Holandës, ku u hasën përmbajtje plastike në çokollatë. Si të tilla ato do të vijojnë të shiten në treg.

Lajme

27/02/2016 00:38

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, ka vlerësuar maksimalisht lajmet e mediave ndërkombëtare e më pas edhe atyre shqiptare, duke marrë masa të menjëhershme në lidhje me tri markat e çokollatave, “Snickers”, “Mars”, “Milky Way”, të prodhuara në Holandë. Megjithëse u nxor një urdhër për bllokimin e të gjitha çokollatave të këtyre markave që kishin datën e skadencës 19.06.2016, deri më 08.01.2017, situata ndryshoi pas verifikimeve konkrete në terren dhe pranë kompanisë, distributor zyrtar i këtyre produkteve, duke bërë që të dalë një urdhër tjetër pune, i cili rrëzon të parin”.

AKU thotë se brenda 4 orëve, nga ora 08.00 deri në orën 12.00, u bë verifikimi në terren, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU në qarqe, si dhe pranë kompanive importuese të këtyre produkteve në Shqipëri.

Nga verifikimet e bëra prej Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Tiranë, pranë kompanisë distributore “Interbrands”, rezultoi se të tri produktet në fjalë nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi prodhohen në Poloni.

Kjo është vërtetuar nga një shkresë zyrtare dërguar kompanisë shqiptare nga prodhuesi i këtyre produkteve, ku thuhet se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende, janë të prodhuara në Poloni dhe jo në Holandë.

Në një dalje për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Isuf Shehu, deklaroi se, “në momentin që ne po bëjmë këtë deklaratë për shtyp, ne kryem verifikimet e duhura, pranë distributorit kryesor dhe AKU e Tiranë bëri verifikimet, bëri kontrollet pranë magazina vetë distributorit dhe rezultoi, që nuk kishte asnjë lloj sasie, të asaj që mediat ndërkombëtare kanë diskutuar apo kanë përhapur si lajm”.

Megjithatë AKU pranoi se pas verifikimit të situatës në terren, u gjet një sasi e vogël çokollatash të markave të lartpërmendura, të prodhuara në Holandë. Menjëherë u bë bllokimi i tyre dhe AKU po ndjek sistemin e gjurmueshmërisë për të gjetur importuesin./lajmi.net