Tjetër sukses i madh i xhudisteve kosovare në Evropë

Xhudistët e klubit “Polici” nuk kanë të ndalur. Ata, së bashku me klubin “Studenti” nga Vushtrria, e kanë arritur suksesin e radhës në garat ndërkombëtare.

Sport

26/03/2017 14:42

Në fakt, klubi që udhëhiqet nga trajneri i palodhshëm Anton Cena ka fituar dy medalje dhe ai vushtrrias një, në turneun ndërkombëtar “Medzinarodna velka Cena”, i cili u mbajt në Bardejov të Sllovakisë, e ku morën pjesë 12 shtete me mbi 700 garues.

Rezarta Alimi e “Policit” e ka zënë vendin e parë në U-13 në kategorinë -52 kilogramë, duke e marrë medaljen e artë.

Ndërkaq, Dardan Cena, po ashtu nga klubi “Polici” i ka mundur dy garuesit më të mirë të Ukrainës, duke e zenë vendin e parë në U-15 në kategorinë -42 kilogramë, duke e fituar medaljen e artë.

E Florian Gërguri i klubit “Studenti” e zuri vendin e tretë në U-13 në kategorinë -30 kilogramë, duke e fituar medaljen e bronztë.

Gara është mbajtur në 9 tatami dhe ekipet nga Kosova hasën në problem pa filluar garat.

“Në fillim të kësaj gare na ndaluan përdorimin e flamurit të Kosovës në hapjen zyrtare sepse nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës. Por, pas këmbënguljes sime për të mos marrë pjesë në garë, na lejuan. Pra, flamuri i Kosovës ka valvitur si flamujt e shteteve pjesëmarrëse. Me këtë ju treguam se jemi në rrugë të mirë për rezultate në të ardhmen. Një falënderim i veçantë i shkon edhe Sindikatës së Policisë për mbështetje. Drejtësinë në këtë garë e ka ndarë Linda Cena, trajnere e klubit të xhudos ‘Polici’ në Prishtinë!”, theksoi trajneri Anton Cena, i cili njoftoi se gara e radhës është në Slloveni, shkruan zeri.info.

Gjithashtu, ai njoftoi se nesër do të fillojë kampi i xhudos, të cilin ia kanë besuar që ta udhëheqë Cena si trajner kryesor.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6