Titullar pas 500 ditësh

Iker Casillas do t’i kthehet portës në La Liga pas 500 ditësh, që nga janari i vitit 2013. Trajneri Ancelotti do t’ia japë atij rastin atij në ndeshjen e së mërkurës mbrëma ndaj Real Valladolidit.

Sport

07/05/2014 16:35

La Liga është bërë ‘mollë e ndaluar’ për Iker Casillas qe një kohë të gjatë. 473 ditë, më saktësisht. Por, portieri spanjoll mund të rikthehet në portë të mërkurën mbrëma, në kampionatin spanjoll kundër Real Valladolidit të Valdet Ramës.

Los Blancos do të zbresin në Zorrilla me numrin 1 në portë, i  cili do ta zhvillojë sezonin e 15-të në kampionatin kombëtar.

Më 20 janar të vitit 2013, Casillas e zhvillonte ndeshjet e fundit kampionale në Mestalla, ku Reali fitonte në atë kohë 5:0, por një goditje e Arbeloas pa qëllim në dorën e Casillas, bëri që atij t’ia thyente dorën dhe nga ajo kohë, Jose Mourinho e preferonte Diego Lopezin.

Një gjë të tillë në La Liga e vazhdoi edhe Carlo Ancelotti, i cili ia dha rastin këtë sezon vetëm në Ligën e Kampionëve dhe Copa del Rey.

Casillas i zhvilloi 21 ndeshje këtë sezon, ndërsa tash, trajneri Ancelotti do ta mbajë premtimin, pasi kishte thënë se, nëse Reali shkon në finale të Championsit, në portë në La Liga do të vendoset Casillas, pasi ai nuk mund të pushojë tri javë, për të mbrojtur më pas në finalen e Lisbonës.

Casillas pritet të mbrojë ndaj Valladolidit dhe Espanyolit.

24 ndeshjet që do t’i zhvillojë këtë sezon është shifra më e ulët në karrierën e tij, por statistikat i ka më të mirat.

Ai ka pranuar vetëm 9 gola në 21 ndeshje, me një mesatare prej 0.43 gola për ndeshje.

Ose më mirë të themi, rivalët është dashur të prisnin më shumë se dy ndeshje, për të shënuar në portën e tij. Në 14 nga këto 21 ndeshje, ai ka mbetur i pamposhtur.

Në drejtim të Casillas kanë shkuar 68 topa, por vetëm nëntë kanë përfunduar në portë. Pesë të tjerë kanë përfunduar në shtyllë, kurse 54 tentime, apo 80%, janë ndalur nga Casillas.

Casillas do ta shijojë sezonin e 15-të në La Liga, një më pak se legjendari Raul Gonzalez.