Titujt e medieve të sportit që morën vëmendjen e gjithë botës në vitin 2017 – Lajmi.net
Titujt e medieve të sportit që morën vëmendjen e gjithë botës në vitin 2017
Viti 2017 ishte një tjetër vit me përplot emocione për botën e sportit. Humbja e një tjetër finale të Ligës së Kampionëve nga Juventusi, bërja e historisë nga Real Madridi në këtë garë e mbetja jashtë Kampionatit Botëror të Italisë, inspiruan mediet kryesore sportive për tituj mahnitës.

Viti që tashmë është prapa nesh ndër tjera do të mbahet mend për përmbysjen e mahnitshme të Barcelonës ndaj PSG në Ligën e Kampionëve, triumfin e 12-të të Real Madridit në këtë garë e shpalljen e Sllovenisë kampione në Eurobasket.

Këto dhe shumë ngjarje tjera sportive, ishte frymëzim për ‘Gazzetta dello Sport’, ‘Marca’ e të tjera media ndërkombëtare, që të sjellin tituj me përmbajtje interesante.

Pas investimeve të mëdha viteve të fundit, PSG po kërkonte të shkruante emrin edhe në Evropë, në Ligën e Kampionëve, në të cilën garë ende nuk ka arritur ta fitonte respektin.

E si më mirë mund të fitohet respekti kur shorti të rezervon Barcelonën, njërën nga skuadrat më të mira në këtë shekull, për nga loja, lojtarët e rezultatet e arritura.

Për shumë kë dukej e pabesueshme, ndoshta edhe për vet lojtarët e PSG-së që më 8 mars fituan 4:0 përballjen e parë ndaj Barcelonës në ‘Parkun e Princave’, për një fillim të ri për skuadrën e tyre, e për të shënuar fundin e një epoke për Messin dhe shokët e tij.

Buja e madhe që bëri kjo lojë, ‘zemëroi’ Messin, Neymarin dhe Barcelonën në përgjithësi, që një javë më pas në ‘Camp Nou’ zhvilluan një nga lojërat më të pabesueshme në historinë e futbollit, duke bërë përmbysjen më të madhe që ka parë njerëzimi në këtë sport, duke e fituar 6:1 ndeshjen e kthimit.

Derisa në Spanjë po festohej, lojtarët e PSG-së e mediet e Francës as që e kuptonin se çfarë iu kishte ndodhur. Kështu L’Equipe doli me një titull të madh: “E PAPËRSHKRUESHME”, duke pasqyruar me një fotografi ku shihej Cavani dhe pas tij lojtarët e Barcës duke festuar.

Thashethemet e ngritura në mediet i dhanë rastin e shkëlqyer ‘Gazzetta dello Sport’ të del me një artikull për trajnerët italian që mund të vazhdonin karrierë në Londër. ‘Londra Thërret’ ishte titulli i gazetës italiane për Antonio Conten, Luciano Spallettin dhe Massimiliano Allegrin, të shndërruar në trupat e grupit të famshëm ‘The Clash’.

Cristiano Ronaldo kishte marrë në dorë fatin e Real Madridit, duke eliminuar Bayernin Munich dhe Atletico Madridin e për të dërguar për të dytin vit radhazi mbretërit në finale të Ligës së Kampionëve.

Derisa mediet e Madridit i thurnin lavde portugezit që ishte shndërruar në një lider në dhomat e zhveshjes, mediet nga Katalonia i dolën haptas kundër atij dhe Real Madridit.

Kur kishin mbetur dy javë deri në finalen e Kardifit, tifozët e futbollit dukeshin neutral në favorizim, por prisnin një përplasje titanësh të Ronaldos me mbrojtjen e Juventusit, e në veçanti me Giggi Buffonin, që mund të kishte edhe finalen e fundit në karrierën e tij në këtë garë.

Por, aspak neutrale nuk u tregua gazeta katalane ‘Sport’, që haptas mbështeste Juvetusin.

Edhe pse kishte zgjedhur një titull ‘FORZA JUVE’, ‘Zonjës së Vjetër iu desh të pajtohet me humbjen përballë Real Madridit, dhe e vetmja gjë që nga kjo finale kujtojnë tifozët e skuadrës italiane, është goli i bukur i Mario Mandzukic i shënuar në humbjen 1:4 të skuadrës së tij.

E fitorja e Realit ndaj Juventusit mallëngjejë gazetat madrilene, me ‘AS’ që për lajm kryesor kishte vendosur një fotografi të festës ‘mbretërore’, ndërsa ‘Marca’ kishte dalë më diçka më speciale, duke i vënë skuadrës mbretërore epitetin ‘Zotërues të Universit’.

Në anën tjetër italianët mbanin ‘zi’, e veçanërisht ‘Gazzeta dello Sport’, që e cilësonte ‘kolaps’ humbjen e thellë të Juventusit.

Në vitin 2017, Franceso vendosi të pensionohet nga futbolli. Një legjendë e gjallë e Romës, Italisë e në përgjithësi futbollit.

Vështirë të mbanin lotët gjithë ata që u rritën me lojën e tij, përfshirë tifozët e shokët e skuadrës së tij.

Në këtë ditë të shënuar, gazeta romake ‘Il Tempo’ kishte shkuar aq larg sa i ndryshoi edhe emrin gazetës për një ditë.

Kështu, ‘Il Tempo’ më 28 maj u quajt ‘Il Tempo di Totti’ (Koha e Totti) me titullin ‘Zemra e këtij Qyteti’.

Përveç transferimit të Neymar te PSG, vera që shkoi do të kujtohet edhe për triumfin e sllovenëve në Evropë, në ‘EuroBasket’. Doncic, Dragic dhe të tjerët mposhtën spanjollët në gjysmëfinale me 20 pikë epërsi, dhe ‘Marca’ gjeti ngushëllim në faktin se Doncic ishte një lojtar i Realit.

‘Doncic na vodhi një kurorë’ ishte titulli i Marca me pamjen e gjeniut slloven. Sllovenia bëri një triumf historik në finale duke mposhtur Serbinë me rezultat 93:85.

Ky ishte një rast i mirë edhe për mediet sllovene, që mbuluan faqen e para të gazetave me heronjtë e tyre, siç bëri ‘Vecer’ me titullin ‘Ari është i yni’.

Grupi i vdekjes në Ligën e Kampionëve përbënte skuadrat si Borussia Dortmund, Real Madrid, Tottenham dhe Apoel. Askush nuk mund të besonte se Dortmund që nisi mirë se sezonin në Bundesligë, do të përfundonte fazën e grupeve me dy pikë pas gjashtë ndeshjeve.

Që në ndeshjen e parë të grupeve, Reali e mposhti 1:3 në udhëtim Dortmundin, dhe ‘Marca’ goditi me një titull ‘Si thuhet çfarë bishe në gjermanisht’ duke iu referuar Ronaldos që shënoi dy gola në këtë ndeshje.

Por, ky triumf u zbeh një muaj më vonë kur Tottenham në ‘Wembley’ mposhti Real Madridin.

“Ndizni të gjitha alarmet” ishte titulli i ‘Marca’, i qartë për Real Madridin që në nëntor kishte hyrë në një krizë e që thellohej dita e ditës.

Tetori dhe nëntori na dhuroi emocione të mëdha në pistën e kualifikimeve për Kampionatin Botëror ‘Rusia 2018’.

Të gjithë ndoqën me interes eliminimin e Shteteve të Bashkuara nga kualifikimet më të lehta në të gjitha kontinentet e po ashtu edhe kolapsin e paparë të Kilit në xhiron e fundit të kualifikimeve në Amerikën e Jugut.

Mbi të gjitha, e më e madhja histori ishte Italia. Për herë të parë që nga viti 1958 në një Kampionat Botëror nuk do të shohim italianët, që në ‘Play Off’  u mundën nga suedezët.

Buffon kërkoi falje për këtë, Ventura ishte shkarkuar , dhe ‘Corriere dello Sport’ nuk dëshironte të dëgjonte për këtë.

“Largoni të gjithë”  ishte titulli i kësaj gazete, që pasqyronte përmes një fotografie zhgënjimin e ekipit kombëtar italian.

Për fund, me interesim të madh ishte përcjellë edhe në Kosovë ndeshja e kthimit e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe PSG-së.

Me të drejtë kjo lojë për emocionet që dhuroi meriton epitetin e ndeshjes më drithëruese për vitin 2017, ndërsa përmbysja e rezultatit kalon limitet, si përmbysja më e madhe në histori të këtij sporti, gjë që shtyu edhe redaktorët e sportit të ‘Lajmi.net’ që këtë ndeshja ta transmetojnë te lexuesit me këtë titull: “Jemi dëshmitarë të përmbysjes më të madhe në histori të futbollit”./Lajmi.net/

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO