Tiranë, studentët vazhdojnë protestat masive, qeveria kërkon dialog

Studentët e universiteteve publike dhe private si dhe të shkollave të mesme në Tiranë u bashkuan në protestën më të madhe të organizuar deri tani nga grupet studentore ndërkohë që qeveria përsëritin thirrjen për bisedime si parakusht për plotësimin e kërkesave të tyre.

Lajme

11/12/2018 17:24

Disa mijëra protestues të rinj u mblodhën në rrugën e Durrësit në Tiranë pranë Ministrisë së Arsimit në protestën më të madhe të shënuar deri tani, pasi marshuan nëpër të gjithë qytetin duke u nisur nga fakultetet përkatëse. Studentët kërkojnë ulje të tarifave të studimit, përmirësim të kushteve dhe rrëzim të ligjit ekzistues për Arsimin e Lartë, i cili u miratua në vitin 2014 mes debateve të ashpra nga votat e maxhorancës parlamentare të përbërë nga PS dhe LSI.

Kryeministri Edi Rama bëri edhe një herë thirrje të martën për bisedime me studentët, hera e katërt në tre ditë që lutet për atë që ai e quan “dialog”.

“Kjo s’është një lojë force,” shkroi ai në Facebook të martën. ” Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë.”

Studentët kanë deklaruar se kërkojnë realizimin e kërkesave të tyre brenda ditës së martë, duke kërcënuar përshkallëzim të protestës me masa të mosbindjes civile apo me “kamp protestuesish” para Ministrisë së Arsimit.

Në një fjalim që zgjati gati dy orë të hënën, Rama u premtoi studentëve realizimin e të gjitha kërkesave plus masa të tjera të pakërkuara në favor të tyre, me kushtin e vetëm që studentët të pranojnë të negociojnë me të.

Studentët duket se kanë zgjedhur një strategji negocimi pa negociata dhe pa udhëheqësi, me synimin për të mos lejuar qeverinë të korruptojë apo kërcënojë një udhëheqësi apo grup negociator që mund të krijohet.

Qeveria nga ana e saj duket se synon të realizojë një proces politik përmes të cilit të mund të plotësojë kërkesat dhe të dalë si e arsyeshme më shumë se sa si e kapitulluar përballë protestuesve.

Rama u premtoi studentëve të hënën jo vetëm ulje të tarifave, por edhe shkarkim të administratorëve të universiteteve të emëruar nga qeveria si dhe “një mijë vende pune në ministrinë e Arsimit” për studentët protestues. Gjithçka ofrohet me kushtin që studentët të pranojnë të “dialogojnë” me kryeministrin.

Ndryshe nga ditët e tjera, të martën edhe një numër studentësh nga universitete private u shfaqën në shesh në mbështetje të kërkesave të shokëve të tyre nga unversitetet publike. Në protestë dolën edhe një pjesë e nxënësve të shkollave të mesme.

Një grup protestuesish nga Elbasani u nisën në drejtim të Tiranës, por shumica e tyre nuk arriti të gjente autobus për në kryeqytet dhe përkohësisht bllokoi rrugën Tiranë-Elbasan.

Brenda protestuesve pranë Ministrisë së Arsimit duket se ka një përplasje të nivelit të ulët mes një numri protestuesish jopartiakë dhe atyre që mbështesin partitë politike në opozitë.