Tiranë, arrestohet punonjësi i policisë për korrupsion dhe shpërdorim detyre

Një punonjës i policisë është arrestuar për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Nënkomisar Dritan Metani u vu në pranga pas hetimit disa mujor të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Lajme

20/04/2017 16:59

Sipas policisë, Metani dyshohet se ka lejuar në tre raste të bëhen ndërtime pa leje, kundrejt shumave të caktuara të parave.

Njoftimi i plotë:

SHÇBA vendos nën arrest një punonjës policie për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, sipas urdhrit të Prokurorit, ka vënë nën arrest një punonjës policie për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Punonjësi i policisë Dritan Metani me gradën N/Komisar ishte nën hetim prej disa muajsh nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë si i dyshuar se kishte konsumuar elementet e veprës penale të “Korrupsionit pasiv” dhe të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka lejuar në tre raste, të bëheshin ndërtime pa leje, kundrejt shpërblimesh në shuma monetare.

Hetimi nisi pas referimit të SHÇBA­-së, në lidhje me dyshimet për korrupsion ndaj punonjësit të policisë N/komisar Metani. Në zbatim të vendimit penal përkatës, SHÇBA ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.