Tirana shtyn taksën e pronës, Veliaj: Do të vijojmë me tarifën e vjetër

Taksa e pronës për qytetarët e Tiranës nuk do të ndryshojë derisa të bëhet gati kadastra fiskale dhe të vendoset se cili operator do ta grumbullojë atë.

Lajme

07/06/2018 15:53

Deri atëherë, qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë për pronën 100 lekë çdo muaj në faturën e ujësjellësit.

Taksa e re për pronën duhej të kishte nisur të paguhej që në 1 prill. Në mbledhjen e Këshilit Bashkiak të së enjtes u mor vendim që të mbetet në fuqi taksa e vjetër.

“Derisa zona kadastrale të jetë gati dhe të vendoset se cili operator do ta mbledhë taksën, taksa të mbetet e pandryshuar derisa të ketë një vendimmarrje kombëtare”, tha Veliaj.

Por, edhe kjo mbledhje, ashtu si ajo e muajit të kaluar, është zhvilluar pa praninë e këshilltarëve të djathtë. Ata janë larguar pasi konsiderojnë të pamandatuar 6 anëtarët e rinj që i janë bashkuar këtij këshilli.

Kreshnik Çollaku, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, deklaroi: “Në këtë sallë vazhdojnë që të kontrabandohen 6 individë pa mandat. Në këtë mënyrë, ju vazhdoni që të refuzoni njohjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, që e ka cilësuar si nul mandatin e tyre. Përbërja e këshillit është e paligjshme”.

Por, edhe pse të djtahtët janë larguar, në këtë këshill u miratuan disa vendime të rëndësishme për qytetarët, si dhënia e ndihmës financiare për familje që janë përballur me fatkeqësi të ndryshme, plani i Tiranës së gjelbër si dhe rritja e pagave për edukatoret e çerdheve të Tiranës.