Tirana e Podgorica fillojnë hartimin e projektit të gazsjellësit IAP

Pas studimit të fizibilitetit, qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë siguruar fondin falas prej 2.5 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, për hartimit e projektit konkret për Gazsjellësin Adriatiko-Jonian “IAP”. Ky projekt nis si një degëzim i gazsjellësit TAP nga Shqipëria deri në Kroaci.

Lajme

02/09/2016 09:22

“Pas përfundimit me sukses të studimit të fizibilitetit të projektit IAP, tashmë kemi kaluar në fazën e hartimit të projektit. Duke pasur një projekt ne do të jemi në gjendje që të kemi një paketë të plotë studimore, për të bashkëpunuar me investitorë të huaj”, tha Dritan Spahiu, drejtori i hidrokarbureve në MEI.

Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë rënë dakord për ndërtimin e projektit dhe kanë filluar lëshimin e lejeve përkatëse. Pritet të zgjidhet se çfarë modeli do të ketë kompania, që do të menaxhojë gazsjellësin.

Ky i fundit do të ulte kostot e ndërtimit të rrjetit të brendshëm të gazit në Shqipëri, pasi do të krijonte infrastrukturën e transmetimit me gazsjellësin tjetër TAP, nga jugu deri në veri.