Tirana dhe Prishtina heshtin ndaj tjetërsimit të historisë nga Maqedonia

Projekti “Shkupi 2014” është në përfundim e sipër. Në kuadër të këtij projekti ishte edhe vendosja e qindra shtatoreve të figurave historike, në mesin e të cilave janë edhe ato shqiptare të përvetësuara. Institucione përgjegjëse në Shqipëri dhe Kosovë, vazhdojnë të heshtin karshi këtij problemi. 

Lajme

03/09/2014 15:04

Maqedonia është kritikuar disa herë nga disa shtete përreth se është duke e bërë historinë e lashtë të rajonit në favor të vetin.

Përvetësimi i figurave të shquara historike viteve të fundit nga ky shtet, ka ngjallur reagime të mëdha nga Greqia dhe Bullgaria.

Për shkak të emrit (Maqedonia) shteti grek nuk e njeh Maqedoninë pasi që pretendojnë se ky emërtim i takon rajonit verior të këtij shteti.

Por hiq më mirë nuk i kanë raportet as me shtetin e tyre “ëmë”, Bullgarinë, të cilët janë ankuar për përvetësimin e figurave historike nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Projekti për rikonstruktimin e qendrës dhe disa pjesëve të kryeqytetit-Shkupit, i quajtur “Shkupi 2014”, ka vënë në pah shumë pretendime të institucioneve të shkencës maqedonase dhe qeverisë në krye me Nikola Gruevskin, për të përvetësuar figura historike edhe të shqiptarëve.

Në shtatoret e shumta që gjenden përreth lumit Vardar në qendër të Shkupit, shihen edhe ato të disa figurave shqiptare (kryesisht të kohës së Bizantit), të cilat janë tentuar të sllavizohen.

Aleksandri i Madh, Nënë Tereza, Andrea Gropa, Shën Naumi janë disa nga figurat shqiptare, statujat e të cilëve gjenden në mesin e qindra të tjerave, e që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

Mirëpo, dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk i janë bashkangjitur atyre të Greqisë dhe Bullgarisë, për t’i sanksionuar këto veprime të maqedonasve.

Ndonëse grupe historianësh dhe intelektualësh nga Kosova e më gjerë, kanë ngritur zërin për këtë çështje, qeveritë përkatëse janë treguar të shurdhra karshi këtyre reagimeve.

Historiani Frashër Demaj thotë për lajmi.net se shteti i Maqedonisë nuk ka histori të vetën sepse sipas tij, maqedonasit e sotëm nuk janë pasardhës së maqedonasve të vjetër. Andaj, ai thotë se përvetësimi i figurave historike të kombeve të tjera, është karakteristikë e vendeve që nuk kanë histori të tyre.

“Zakonisht popujt që nuk kanë histori përvetësojnë figura të të tjerëve. Praktikisht popullsia maqedone e sotme nuk ka histori pasi që nuk ka të bëjë asgjë me maqedonasit e vjetër që ishte njëra nga popullsitë më të vjetra në Ballkan dhe natyrisht që maqedonasit janë krijuar si komb pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, praktikisht duke fituar statusin e Maqedonisë së sotme në kuadër të Jugosllavisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia mbeti si shtet i organizuar”.

Demaj thotë se përveç figurës së Andrea Gropa, institucionet maqedonase janë përpjekur që të bëjnë të tyre edhe figura të tjera të njohura, siç është Aleksandri i Madh dhe Nënë Tereza.

“Gjithsesi ajo pamja e Shkupit 2014 dhe pretendimet e qarqeve politike maqedonase janë tendencioze sepse ata janë munduar të përfitojnë figura të ndryshme historike, duke filluar që nga Aleksandri i Madh përkatësisht Leka, i cili praktikisht nuk ka asnjë lidhje me maqedonët e sotëm dhe figura të tjera historike, qofshin të bullgarëve qofshin të shqiptarëve. Rasti më enklantant ishte tendenca e maqedonasve kur u munduan që ta përvetësonin figurën e Gonxhe Bojaxhiut Nënë Terezës, e cila ishte një personalitet me përmasa botërore”.

Sipas, Demajt, institucionet shkencore kanë reaguar ndaj këtij fenomeni, por se siç thotë ai, ka munguar koordinimi edhe i institucioneve politike të Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, që të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalojnë përvetësimin e figurave historike shqiptare nga ana e institucioneve maqedonase.

“Institucionet profesionale dhe shkencore edhe nga Kosova dhe nga Maqedonia kanë reaguar ndaj këtyre fenomeneve mirëpo institucionet e karakterit politik, as të Kosovës dhe ato shqiptare në Maqedoni nuk e kanë bërë një gjë të tillë”.

“Do të duhej që në harmoni të plotë, institucionet shkencore dhe institucionet shtetërore të kenë një koordinim dhe të mos lejojnë sepse këto pretendime nuk janë shumë të thjeshta, aq sa duken në pamje të parë, por kanë një qëllim, përkatësisht një tendencë e cila është falsifikimi i historisë”.

“Reagimet më të mira janë reagimet shkencore, përkatësisht ofrimi i argumenteve shkencore. Edhe familja feudale e Gropajve nuk ka asnjë lloj dyshimi se është familje shqiptare”.

Historiani Frashër Demaj thotë se ekziston edhe një fakt tjetër të cilin Qeveria maqedonase po e shfrytëzon mjaft mirë, kur vjen fjala tek përvetësimi i figurave të rëndësishme të historisë shqiptare. Ai thotë se shqiptarët ngatërrojnë shpesh etninë dhe përkatësitë fetare, andaj pala maqedonase e shftytëzon mjaft mirë këtë gjë.

“Këtu duhet të kemi parasysh një fakt, shumë qarqe të ndryshme joprofesionale dhe individ injorant që nuk marrin vesh nga fusha e historisë dhe e zhvillimeve të ndryshme historisë së popullit shqiptarë shpesh herë e ngatërrojnë etninë përkatësisht kombësinë me fenë, duke mos marrë parasysh që shqiptarët i takojnë tre religjioneve”.

“Ata shpesh i ngatërrojnë emrat fetar me emrat nacional dhe ndonjëherë dhe sidomos kohëve të fundit kur ne praktikisht atakohen figura të rëndësishme shqiptare dhe pikërisht ky është qëllimi i maqedonasve për përvetësimin e figurave të rëndësishme të historisë shqiptare”, tha Demaj për lajmi.net.