Tillerson tërheq ofertën: Bisedimet me Korenë e Veriut, jo pa kushte

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u tërhoq nga oferta që i kishte pak ditë më parë Koresë së Veriut.

Bota

15/12/2017 22:43

Fuqive botërore të mbledhura të premten në Nju Jork, ai u tha se Peniani, duhet ta meritojë të drejtën për të negociuar me Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së shënoi një ndryshim të habitshëm, pasi ai kishte propozuar në fillim të javës, që diskutimet me Penianin të zhvilloheshin pa vendosur kushte paraprake. Por këto komente u kundërshtuan menjëherë nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Zëri i Amerikës thotë se kreu i diplomacisë amerikane kishte planifikuar ta përsëriste të premten thirrjen e tij në takimin ministrave të jashtëm të Kombeve të Bashkuara, për çështjen e Koresë së Veriut. Por ai e ndryshoi papritur fjalimin.

Deklaratat kontradiktore sinjalizojnë përçarjen brenda administratës Trump, lidhur me Korenë e Veriut, e cila po perfeksionon raketat bërthamore drejt qëllimit për të arritur SHBA.

Presidenti Donald Trump është zotuar të mos e lejojë Penianin të ketë këtë aftësi bërthamore, qoftë edhe përmes ndërhyrjes ushtarake. Tillerson tha se fuqizimi në rritje i kapacitetit bërthamor të Koresë së Veriut përbën “një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë amerikane. Ai shtoi tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë, por se “do të përdorin të gjitha masat e nevojshme për t’u vetëmbrojtur nga një agresion i shtetit komunist”.