Tillerson: Nëse përdoret ushtria kundër Koresë së Veriut, unë kam dështuar

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson deklaroi sot se në rast të përdorimit të alternativës ushtarake kundër Koresë së Veriut, në rast të shterimit të të gjitha zgjidhjeve diplomatike, kjo do të shënonte dështimin e tij personal.

Bota

12/12/2017 21:32

“SHBA-ja do të rrisi presionin deri sa Koreja e Veriut të angazhohet në mënyrë të ndjeshme në një dialog mbi programin e saj bërthamor të kritikuar”, shpjegoi ai gjatë një fjalimi në Uashington, ku prezantonte bilancin e veprimit të tij në krye të diplomacisë amerikane.

“Si gjithnjë në diplomaci… ne kemi një prani ushtarake të fortë nga pas. Nëse Koreja e veriut bën zgjedhje të gabuara, ne jemi gati ushtarakisht”, garantoi Rex Tillerson.

“Kjo nuk është rruga që duam të marrim. Në departamentin e Shtetit, roli jonë është që të krijojmë një rrugë alternative”, theksoi ministri amerikan i Punëve të Jashtme.

Por ai pranoi gjithashtu se “po bën vetëm pjesën e tij në këtë rrugë, përmes fushatës së presionit ndërkombëtar kundër Koresë së Veriut. Në fund, i takon Pheninait të vendosë për të ardhmen e tij”, përcjell Atsh.

“Nëse ata vazhdojnë, ata rrezikojnë të kalojnë një kufij përtj të cilit ne, diplomatët, nuk mund të bëjmë asgjë”, paralajmëroi Tillerson.

“Nëse ata e kalojnë këtë kufij, unë do të kem dështuar. Dhe unë nuk dua të dështoj”, përfundoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar shumë herë se do të shkatërrojë krejtësisht Korenë e Veriut në rast të një sulmi nga ana e regjimit të Kim Jong Un.