TIKA do të bëjë restaurimin e 3 xhamive të periudhës osmane në Maqedoni

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të bëjë restaurimin dhe planifikimin hapësinor të tre xhamive të periudhës osmane në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Lajme

17/11/2016 17:58

Me rastin e fillimit të punimeve konstruktive për “Restaurimin e xhamive të periudhës osmane Sultan Murat, Ishak Bej (Allaxha) dhe Husejin Shah në Shkup”, që do të realizohet nga TIKA në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Maqedonisë dhe Ministrinë e Kulturës, u organizua “Ceremonia e nënshkrimit për dorëzimin e vendit”.

Pas ceremonisë së nënshkrimit që u organizua me pjesëmarrjen e koordinatorit të TIKA-s në Shkup, Temoan Tiryaki dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Efendi Rexhepi, u mbajt konferencë e përbashkët për media.

Tiryaki tha se TIKA në Maqedoni dhe Ballkan ka realizuar projekte dhe aktivitete në fusha të ndryshme. “Në kuadër të kësaj, janë përfunduar punimet e projektimit, janë caktuar firmat përmes tenderit dhe kanë filluar punimet e restaurimit për xhamitë Sultan Murat, Allaxha dhe Husejin Shah, punimet projektuese të të cilave i kemi filluar vitin e kaluar”, u shpreh Tiryaki.

Duke theksuar se xhamitë që do të restaurohen janë ndër objektet më të rëndësishme në Shkup, Tiryaki tha se të ato janë simbolet e qytetit.

“Shpresojmë që brenda dy apo dy viteve e gjysmë ta përfundojmë restaurimin e këtyre objekteve dhe sërish t’ua dorëzojmë Bashkësisë Islame”, tha Tiryaki, duke falënderuar më tej Bashkësinë Islame të Maqedonisë për mbështetjen e ofruar.

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Efendi Rexhepi tha se në ceremoninë e kanë nënshkruar marrëveshjen për restaurimin e tre xhamive të cilat janë monumente historike dhe të mbrojtura me ligj.

“Falënderojmë TIKA-n për restaurimin e xhamisë Husejin Shah, e cila është ndër xhamitë e para të ndërtuara në Maqedoni në periudhën osmane, xhamisë Sultan Murat, e cila është ndër xhamitë më të mëdha në Ballkan, dhe xhamisë Allaxha, e cila pranohet si njëra ndër monumentet e rralla historike”, tha Rexhepi, duke shtuar se bashkëpunimi mes Bashkësisë Islame dhe TIKA-s është në nivelin më të lartë.

Rexhepi më tej theksoi se viteve të fundit TIKA ka punuar jo vetëm në mbrojtjen e xhamive, por edhe të gjithë trashëgimisë aktuale kulturore të periudhës osmane.

Gjithashtu, me mbarimin e vitit akademik 2016-2017 TIKA do të fillojë me punimet për plotësimin e mungesave të Medresesë Isa Beu në Shkup dhe konviktit të tij.

Gjatë restaurimit, tre xhamitë do të jenë të mbyllura për adhurim.