TIKA do të bashkëpunojë me Universitetin e Mitrovicës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) dhe Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, do të bashkëpunojnë për realizimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të komunitetit.

Lajme

16/03/2015 16:31

Për këtë gjë u dakorduan koordinatori i TIKA-së për Kosovë, Ejup Javuz Umutlu dhe prorektori për Marrëdhënie me Jashtë i Universitet të Mitrovicës, Rifat Morina, gjatë një takimi që zhvilluan të hënën në selinë e TIKA-së në Prishtinë.

Prorektori Morina, e njoftoi koordinatorin për traditën akademike në Mitrovicë si dhe për ecurinë e punës në UMIB dy vjet pa themelimit.

“Universiteti i Mitrovicës është një ndër universitetet e reja më të konsoliduara dhe kjo është meritë e traditës akademike në Mitrovicë”, ka thënë Morina.

Gjithashtu prorektori Morina, foli edhe për bashkëpunimin që ky universitet ka me universitete të ndryshme në rajon dhe në botë.

Në këtë kontekst, ai potencoi edhe bashkëpunimin e frytshëm me universitete nga Turqia.

Në anën tjetër, koordinatori i TIKA-së, Ejup Javuz Umutlu, e përgëzoi prorektorin Morina për punën e mirë që janë duke bërë në Universitet.

Ai vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme realizimin e projekteve që e ofrojnë universitetin me komunitetin dhe biznesin.

Të dy u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në mënyrë që të gjenden mundësi për projekte të përbashkëta nga të cilat do të përfitoj edhe UMIB-i, por edhe komuniteti.